KTHIMI I JOSIF BAGERIT

Rekën, që nga shënimet e Pukëvilit, e gjejmë të banuar me popullatë shqiptare – me burra dinjitozë e me tigra të luftës malore, për të cilët kanë shkruar historianë të shumtë.

Kjo është faqja e dokumentuar e një të vërtete, kurse anën tjetër e përbën tema tabu e asimilimit tinëzak të njerëzve të kësaj krahine, të cilën po e çelim pas një shekulli të plotë heshtjeje prej peshku.

Sidoqoftë, tani nuk është koha e marrjes me paradoksin fyes për dinjitetin dhe inteligjencën e një populli të tërë – me non sens-in që na bën të padenjë për respektin e Zotit dhe robit të tij mendjelirë; me fshirjen nga memorja kombëtare e aktit të zhbërjes së shpirtit shqiptar të Rekës, mu përpara hundëve të shtetit Amë; me shkaqet që na bënë të mos e përfolim as ndërdhëmbshëm gjenocidin në fjalë; me lehtësinë e papërballueshme me të cilën lamë në shputat e kurkujt thesaret e kulturës shpirtërore e materiale me vjetërsi mileniumesh…, në epokën kur të tjerët skicojnë me saktësi milimetrike reliefin e fundit të oqeaneve dhe prekin kufijtë e sistemeve të tjera diellore.

Pra, t’ia lëmë këtë të shkuarës dhe ta bëjmë Rekën rastin e fundit të shndërrimit të etnisë në relikt e në kujtesë të largët.

Duke ia zgjatur dorën Rekës ne shpalojmë dhunën shekullore të ushtruar barbarisht mbi të, i themi botës dhe fqinjëve hileqarë se jemi një, ndërgjegjësohemi për të dhënën se, dje – si sot e sot – si dje, dikush na përçanë për t’na nëpërkëmbur më lehtësisht…

*

Të merremi vesh: ajo që humbëm dje nuk mund t’na kthehet kurrë si e tërë, por mjafton ta kuptojmë rrezikun e zhbërjes siç e kuptonte Josif Bageri një shekull më herët. Në kohën e tij, Ai qante shterrjen e katundeve të Rekës, kurse ne sot duhet të qajmë hallin e gjithë Shqiptarisë, sepse, në mes të trojeve tona, jemi të paaftë të pengojmë investimet e atyre që brrejnë substancën shqiptare. Ai ishte kundër ndarjeve në baza krahinore e religjioze dhe vijat ndarëse i luftonte me elementet përbashkuese: vijën e gjakut, të farës e të atdheut. Për shkak të idealeve Bageri mori shumë goditje, por nuk u mposht kurrë, as e morri inat atdheun shkaku i elementeve të huaj të infliltruar në të gjitha sferat e jetës. Ngado që shkonte thoshte: “Nëse vdes, eshtrat t’mi çoni ‘n’Sqypni, atje në Rek!”, të cilën e quante: kërthiza e Shqypnis, kurse për mercenarët shkruante: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipërisë së vjetër”.

Bageri i këndoi me zjarrmi të veçantë Gjuhës shqipe – gjuhës sonë natyrale, gjuhës së gjyshnis, gjuhës lindore…, atëherë kur nisi asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve të Rekës. Me optimizmin e tij, Ai sikur parandjeu se do të vijë një ditë kur burrat e paepur të Rekës, si: Branko Manajllovski i Tanashajve, Risto Qiriazi, Branisllav Sinadinovski, Urosh Xhukovski…, do ta ringjallin kërthizën shqiptare, pavarësisht dhunës së pashembullt të shputës së huaj dhe injorancës së disa gjynahëve shqipfolës, të cilët nuk e kanë të qartë rëndësinë e kthimit të shqiptarëve ortodoksë në gjirin e nënës biologjike, jo për t’i bërë dëm dikuj, por për ta vënë në vend të drejtën e Zotit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shkrimi i zotit Fatmir Sulejmani eshte nje thirrje e hapur, e qarte dhe e drejte e tij per te gjithe inteligjencen shqiptare ne Ballkan, gjithe atyre qe e ndjenje sadopak veten shqiptar se po vazhdon e eger lufta per shperberjen e shqiptareve, per zvogelimin e popullssise saj me cdo mjet me qellim ripopullimin me popuj sllave. Bageri ka edhe qene nje luftetar i denj i ruajtjes se autoktonise se shqiptareve ne trojet e tyre. Ai, ne kushte shume me te veshtira se sa sot, nuk ka heshtur, por ka qene ne rradhet e para te mbrojtjes se identitetit kombetar. Shurdhimi i inteligjences ndaj emigrimit te shqiptareve eshte nje faj i pafalshem me nje te ardhme te keqe per kombin tone shqiptar. Per rrezik te kombit tone, intelektuale te tille, me fryme atdhedashuria, sot pothuaj nuk kemi. Kjo do te thote se kemi pak mend per te pare emigrimin si rrezik te madh per Shqiperine dhe shqiptarwt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button