Rekord i të gjitha kohëve: 142 milionë dollarë për një pikturë

142 milionë dollarë janë paguar për një pikturë të Francis Bacon. Rekordin e deritashëm e kishte “Klithja”, e Edward Munch, me120 milionë dollarë.

Piktura e shitur më së shtrenjti në historinë e ankandeve, që nga e marta, 12 nëntor 2013 është triptiku “Three Studies of Lucian Freud” i realizuar në vitin 1969 nga piktori irlandez Francis Bacon. Për të janë paguar hiç më pak se 142 milionë dollarë që e tejkalon dukshëm çmimin e paguar për veprën e njohur të piktorit Edward Munch, “Klithja”, e cila ishte shitur vitin e kaluar për 120 milionë dollarë, transmeton albinfo.ch.

Ky “pazar” rekord është realizuar në shtëpinë e njohur të ankandeve “Christie” pas një “shtyrjeje” për çmim që ka zgjatur rreth gjashtë minuta.

Ndryshe, rekordin personal Bacon e mbante me pikturën tjetër “Triptych” të punuar në vitin 1976, e cila në vitin 2008 ishte shitur për 86 milionë dollarë.

Këto çmime, sigurisht, janë rekorde vetëm sa u takon ankandeve. Ndryshe, ka piktura të shitura nga shitës të veprave artistike që kanë arritur çmime edhe më të larta. Kështu, piktura e Paul Cezann-it “Lojtari ke letra” thuhet t`i jetë shitur një koleksionisti në vitin 2011 për 250 deri 275 milionë dollarë. Por çmimi i saktë nuk ka mundur të konfirmohet zyrtarisht asnjëherë deri më tash.

Lajme të ngjashme

Back to top button