Kosovë, Oliver Ivanoviq dënohet me 9 vjet burg për krime lufte

Gjykata Themelore në Mitrovicë sot e ka dënuar me 9 vjet burg liderin e Iniciativës Qytetare serbe, Oliver Ivanoviqin, pasi e ka shpallur fajtor për krimet e luftës të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Mitrovicë, gjatë vitit 1999.

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq akuzohej për dy vepra penale, vrasjen e civilëve shqiptarë në vitin 1999 dhe vrasje e tentim vrasje, si dhe dëbim të shqiptarëve në Mitrovicë, gjatë trazirave në shkurt të vitit 2000.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 9 vjet burg për pikën e parë të aktakuzës, për krimet e kryera më 14 prill 1999.

Atëkohë, Ivanoviq i cili ishte komandant i Stacionit Policor në Mitrovicë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Federale të Jugosllavisë, kishte urdhëruar një grup të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime.

Hetuesit kanë arritur të vërtetojnë se Ivanoviq ka urdhëruar vartësit e tij që të kryejnë vrasjen e qytetarëve të kombësisë shqiptare: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi. Më tutje, në aktakuzë thuhet se, si rezultat i kësaj, nën komandim direkt dhe kontroll të Ivanoviqit janë pushkatuar për vdekje Fatmir Mustafa, Skënder Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Sefari.

Ndërsa, lidhur me pikën e dytë të aktakuzës, nxitje dhe bashkëpjesëmarrje në vrasje e tentim vrasje, si dhe dëbim të shqiptarëve në Mitrovicë, gjatë trazirave në shkurt të vitit 2000, Ivanoviq është shpallur i pafajshëm.

Të akuzuar bashkë me Ivanoviqin në këtë rast të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve ishin edhe katër persona tjerë, komandanti i policisë së Mitrovicës gjatë asaj periudhe, Dragolub Delibashiq, vëllezërit Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Lazoviq.

Sipas aktakuzës, këta katër persona janë shpallur të pafajshëm nga të gjitha akuzat për krimet e kryera në prill 1999 dhe shkurt 2000.

Rikujtojmë se, më 3 shkurt 2000, pjesëtarë të policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ata të Rojave të Urës, iu bashkuan një grupi të serbëve të Mitrovicës Veriore që hynë në ndërtesat ku jetonin familjet shqiptare, në pjesën veriore të qytetit, duke ndërmarr veprime për dëbimin dhe vrasjen e tyre me mjete eksplozive, armë dhe thika.

Me këtë rast, jetën e kishin humbur: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.

Sipas të dhënave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, gjatë trazirave të shkurtit 2000, serbët kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25 persona, torturuar në mënyrë barbare 93 shqiptarë të tjerë dhe kanë dëbuar 11 mijë e 364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button