Maqedoni, kur bastoret bëhen profesion jete

Pas kafeneve, bastoret sportive janë ndër objektet më të frekuentuara nga të rinjtë në Tetovë. Këtë e dëshmon edhe anketa e bërë nga Portalb. Një numër i madh i të anketuarve, që kërkojnë të mbeten anonimë, pranojnë se, të paktën dy herë në javë, e provojnë fatin e tyre në bastore.

Përveç futbollit, dashamirët e këtyre lojërave mund të sfidojnë veten edhe me  gjetjen e fituesve në sportet tjera, por kryesisht është futbolli ai për të cilin lidhin shpresat numri më i madh  i bastorxhinjëve.

I.I nga Tetova pranon se është bërë i varur nga bastoret sportive, pa e kuptuar edhe vet si ndodhi infektimi.
“Kam filluar të luaj me pak para ndërsa dita-ditës, duke dashur të fitoj më shumë, kam humbur shuma që për xhepin tim jam të mëdha. E pranoj se ndonjëherë kam fituar, por, po ta marrish në tërësi jam humbës. Jam përpjekur disa herë të mos luaj më, po  nuk mundem, sepse jam infektuar keq dhe jam bere i varur nga kjo punë”.

Numri më i madh i atyre që provojnë fatin janë të rinjë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme apo studentë, sado që ky rregull prishet shpesh edhe nga më të rriturit. Në këtë grup hy edhe B.S. i cili nuk ka një punë të sigurt. I pyetur për shkakun pse luan, ai përgjigjet: “Shpesh e kam pyetur edhe veten dhe nuk di të jap një përgjigje. Ndonjëherë them se sot është dita ime dhe do të fitoj shumë. Shkoj fus para, i humb ato dhe pastaj kthehem i nervozuar në shtëpi. Fati është fat dhe nuk ke ç’i bën”.

Ndonëse një pjesë e vogël e të apasionuarve pas këtyre lojërave, e bëjnë këtë vetëm për të sfiduar veten dhe kanë të ardhura që nuk  varen nga fati i rezultateve të futbollit, pjesa tjetër e tyre këtë e shohin si vend ku, nëse ke pak fat dhe din të luash mirë, mund edhe të fitosh para.

LEXO: Rinia jonë: Kohë e lirë apo kohë e humbur?

Kështu mendon edhe M.E. “Unë kam fituar shpesh. Kjo lojë i ka edhe teknikat të cilat i njohin ata që dinë të luajnë. Për shembull: unë luaj pak lojëra dhe vëndoj shuma të mëdha. Mund të mos fitoj 3-4 javë por kur fitoj i nxjerr paratë e humbura. Kam familje dhe rroga të cilën e marrë nga puna nuk më del. Ndonjëher them mirë që janë edhe këto lojëra”, përfundon ai.

Ndryshe nga M.E. mendon K.K., i cili e pranon se shumica e njerëzve që luajnë në bastore janë në humbje. Të tillët e shohin bastoren si mundësi fitimi por fundosen pakuptueshëm.
“Më parë kam luajtur shumë shpesh. Tani luaj por jo dhe aq shumë. Thjesht nuk ka fitim nga lojërat, po të ishte ndryshe, askush nuk do të punonte, të gjithë do të luanin në bastore”.

Kështu duket jeta e hallexhinjëve që kërkojnë shpëtim nga lojërat e fatit. Nga ajo që mundëm të kuptojmë në bisedë me ta, fjalë është kryesisht për njerëz të papunë e të demoralizuar. Ata janë të shumtë në numër për çka flet dhe numri i madh i bastoreve të shpërndara gjithandej qytetit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button