Maqedoni, assesi të pajtohen, partive politike u “dhembin” mediat

Pika e fundit, por jo më pak e rëndësishme, e Marrëveshjes së Përzhinos është çështja e mediave. Partitë politike, BDI, PDSH, VMRO-DPMNE dhe PDSH ende nuk kanë gjetur  gjuhë të përbashkët për këtë problem. Gjatë bisedimeve për mediat, grupet punuese nuk kanë pranuar që në takime të merr pjesë komuniteti i gazetarëve, edhe përskaj protestave të gazetarëve për të qenë pjesëmarrës në takime, raporton Portalb.

Për rolin e mediave në këtë turbulencë politike dhe tentimet e pushtetit për t’i “kapur” mediat dhe mospërfshirjen e komunitetit të gazetarëve në bisedime për mediat, për Portalb flasin kryeredaktorët e mediave më të mëdha në vend. Ata sqarojnë (pa)mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve pa u zgjidhur çështja e mediave.

Ku janë mediat në gjithë këtë turbulencë politike? Sa janë të mundshme zgjedhjet fer dhe demokratike pa zgjidhje në fushën mediatike dhe si e komentojnë ekspertët “kapjen” e mediave nga pushteti?

Kryeredaktori i Alsat-M, Admir Qose për Portalb thotë se mediat janë instrument kryesor për disa parti, dhe si të tilla, është jashtëzakonisht i vështirë rregullimi i tyre me shkop magjik; të presim informim objektiv të tyre brenda një nate. Sipas tij, disa prej tyre, për vitesh kanë marrë shuma të mëdha parash për shkak të shërbimeve propaganduese.

“Personalisht, edhe sikur partitë të hiqnin dorë nga afiniteti i tyre me disa media, nuk besoj se kjo do të ndryshonte diçka për një kohë të shkurtër për zgjedhjet. Unë jam ithtar i vetë-rregullimit mediatik kur bëhet fjalë tek objektiviteti, por tek aspekti financiar, rregullat duhet të jenë të prera dhe të respektohen njësoj. Për reklama të paguara qeveritare, sipas shikueshmërisë dhe rangimit që bën qytetari. Ky do ishte edhe një hap i parë drejt frymës vetë-rregulluese. Për sa i përket Agjencisë së Mediave, ende kam dyshime rreth gjobave (të cilat duhet të ulen drastikisht) por gjithashtu edhe partizimit të anëtarëve të saj. Mediat duhet të lihen të funksionojnë me rregullat e ekonomisë së lirë të tregut, dhe jo mashave politike”, shprehet për Portal Qose.

Besim Iljazi, kryeredaktor i gazetës Koha, është i mendimit se zgjidhje do të gjindet në ditët apo në javët në vazhdim, por ai shpreh skepticizëm për zgjidhjet e mundshme.

“Shtrohet pyetja sa këto zgjidhje do të krijojnë kushte për përmirësimin e ambientit medial në Maqedoni, për të cilin të gjithë pajtohemi se është në derexhe të keqe. Nga ana tjetër, vetë fakti se partitë politike nuk deshën të përfshijnë gazetarët në Grupin punues ku diskutohet problematika e mediave, tregon se edhe kësaj radhe do të kemi vendim politik të partive dhe zgjidhje që do t’u konvenojnë vetëm partive politike”, thekson për Portalb Iljazi.

Sipas tij, është absurde që të diskutohet për zgjidhjen e problematikës së mediave pa prezencën në bisedime të punëtorëve medial, dhe gazetarët për këtë edhe protestuan muaj më parë para Klubit të deputetëve.

“Partitë politike nuk i shohin mediat si partner në zhvillimin shoqëror, por i trajtojnë si argatë. Përderisa nuk ndryshon kjo qasje, nuk do të kemi media të lira në Maqedoni. Kam përshtypjen se tani si fazë kalimtare deri në zgjedhje, partitë politike do të gjejnë një zgjidhje afatshkurtër sa për të përmbushur gjoja obligimin nga Marrëveshja e qershorit-korrikut, por ajo që mbetet është problemi sistemor i rregullimit të çështjes së mediave”, shton mëtutje Iljazi, duke potencuar se në këtë mënyrë do kënaqen me apetite politike nëpër këshilla por kjo nuk është esenca dhe nuk zgjidhet kështu problemi.

Do kënaqen me apetite politike nëpër këshilla por kjo nuk është esenca dhe nuk zgjidhet kështu problemi.

Zgjedhje fer në situatë të këtillë mediatike, për kryeredaktorin e Agjencisë së lajmeve “Meta”- Zoran Andonovski, nuk janë as teorikisht të mundshme.

“Si mund të ketë informim kualitativ dhe objektiv kur njëra anë, pozita, i ka afër vetit të gjitha mediat e mëdha elektronike, ndërsa ana tjetër ka qasje më të vogël?”- pyet ai.

“Debalansi i prezencës në media normal që gjeneron fotografi joreale, që sigurisht se nuk do të kontribuojë që votuesit në mënyrë kualitative të vendosin se kujt do t’ia japin votën. Secili pushtet do që mediat t’i ketë nën ombrellën e tij dhe kjo nuk është problem. Problemi është në kornizën legjislative, ku lejohet raporti klientalist i pronarëve të mediave ndaj pushtetit. Kështu ata bëhen aq të varur nga pushteti dhe mundohen t’u shkojnë për shtati, në këtë mënyrë të gjithë standardet dhe kriteriumet e informimit bien në ujë”, tha për Portalb, Andonovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button