Tetovë: cilët janë sportet më të popullarizuara?

Është i njohur botërisht fakti se aktivitetet sportive ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Studime të shumta flasin se, në dallim nga ata që nuk merren me aktivitete sportive, njerëzit që ushtrojnë, të paktën një orë në ditë, janë më të shëndetshëm, më të fortë fizikisht dhe bëjnë jetë më cilësore.

Për dallim nga vendet tjera ku me sport merren të dy gjinitë dhe të gjitha moshat, duke filluar nga fëmijët e gjer te mosha e tretë, kjo duket se nuk ndodh edhe në vendin tonë, hiq  përjashtimet e pakta.

Emin Limani, pronari i njërës nga qendrat më të mëdha të fitnesit në Tetovë thotë për Portalb: “Më të prirur për t’u marë me aktivitete sportive janë të rinjtë, kurse sportet më të popullarizuara në vendin tonë janë padyshim futbolli dhe fitnesi, që viteve të fundit është bërë sport të cilin e ushtrojnë një pjesë bukur e madhe e të rinjve”.

Sipas tij: “Mungesa e kushteve infrastrukturore bën që të rinjtë të përcaktohen për sporte ku kushtet janë më të favorshme, si puna e fitnesit, që te ne ka marrë një hov të madh viteve të fundit. Mund të them lirisht se sporti në fjalë ndikon shumë pozitivisht në jetën e njeriut”.

Lidhur me rëndësinë që ka sporti për të rinjtë, Bekim Osmani, trajneri i juniorëve të klubit futbollistik “Shkëndija” nga Tetova, tha: “Mendoj se një i ri që merret vazhdimisht me sport, përveç se mund të bëhet sportist i mirë, mund të bëhet shumë lehtë edhe një mësues i suksesshëm. Të rinjtë që merren me sport, veçanërisht me futboll, janë më të shoqërueshëm, më të disiplinuar  dhe janë të mësuar me orare të përpikta, gjë që sipas mendimit tim është shumë pozitive”.

Osmani më pas përmend edhe të mirat tjera që vijnë si pasojë e aktiviteteve sportive: “Një sportist ka trup të shëndoshë, muskuj të tonifikuar dhe është më i kthjellët në punë. Lidhja me sportin bën që ata të mësojnë edhe gjuhë të huaja dhe të jenë mirë edhe në aspektin financiar”.

Ismail Jusufi – student që vite me rradhë merret me futboll dhe fitnes, për Portalb shprehet se, falë këtyre sporteve, ditët e tij janë më të plotësuara. “Unë, thotë ai, edhe pse gjatë procesit stërvitor ndiej lodhje, them se është pikërisht sporti që ndikon shumë pozitivisht në pjesën tjetër të ditës. Ndihem shumë më i koncentruar dhe kam motiv edhe për obligime të tjera të jetës”.

Pa dyshim që në përcaktimin e të rinjëve për t’u marë me një sport të caktuar ndikojnë kushtet infrastrukturore, fushat dhe sallat e pakta sportive, mungesa e pishinave dhe një sërë mungesash tjera që aktivitetet sportive në Tetovë i bëjnë të kufizuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button