Izairi: dëmshpërblimi i banorëve nga vërshimet është punë e kryer

Sot në Komunën e Tetovës, Kryetarja Teuta Arifi ishte nikoqire e një takimi pune ku pjesëmarrës ishin edhe Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe përfaqsuesja e përhershme e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë, Luiza Vinton.

Takimi pati për qëllim analizën e përbashkët të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Komunës së Tetovës dhe UNDP-së, e që ka për qëllim dëmet që u bënë në gusht të vitit 2015 në Tetovë dhe rrethinë.

Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi tha se është mirë që e dëgjuam analizën e UNDP-së që ka të bëjë me vërshimet e 3 gushtit në Tetovë dhe rrethinë.  Më tej ajo tha:
“Ajo që për ne është me rëndësi të veçantë është formimi i një trupi operativ i cili do t’i përfshijë të tre institucionet tona dhe do të ketë për qëllim formimin dhe përgatitjen e planit akcional për sa i përket realizimit të obligimeve tona”.

“Jam në Tetovë për të prezantuar rezultatet e studimeve në bashkëpunim me Komunën dhe me Ministrin e Mjedisit Jetësor, me çrast, jo vetëm që i verifikojmë dëmet që ndodhën në këtë fatkeqësi të rëndë që ndodhi në gusht të vitit të shkuar, por edhe të analizojmë shkaqet që sollën  gjer te fatkeqësia. Studimi flet qartësisht për masat që do të ndërmerren për të mos u përsëritur më fatkeqësia e tillë”, tha përfaqësuesja e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë, Luiza Vinton.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi tha se nga ana e UNDP-së u prezantua një studim i mirëfilltë. Ai më tej tha:

“Përpos anës financiare që u prezantua nga ana e UNDP-së, ne kemi edhe një parallogari të mëhershme nga dëmet në infrastrukturë. Brenda javës që vin do të jemi seriozisht të kyçur në këtë problematikë dhe pastaj do të dalim më një plan akcional dhe me prioritetet që do t’i kemi “.

Ndërsa në pyetjen se kur do të fillojë dëmshpërblimi i banorëve, Izairi u përgjigj:
“Kjo është punë e kryer dhe shumë shpejt do të keni informata konkrete, praktikisht pas ditës së mërkurë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button