Koreja e Veriut pushkaton 80 veta, lexonin Biblën dhe shikonin TV

Raportime makabre nga Koreja e Veriut, nga shteti komunist që jeton i izoluar nga bota.

Mediat e huaja bëjnë me dije se, të paktën 80 persona janë ekzekutuar më 3 nëntor në shtatë lokalitete të ndryshme të Koresë së Veriut. Akuzat për ekzekutimin e dënimit kapital janë: Ndjekje e televizionit koreano-jugor, shpërndarje materialesh pornografike, lexim Bible dhe prostitucion.

“Joong Ang Ilbo”, një gazetë konservatore e Seulit e publikoi lajmin. Për momentin është e pamundur të verifikohet, por e përditshmja citon informacione të mbledhura nga koreano-veriorë të arratisur nga vendi i tyre.

Prej muajsh qarkullojnë raporte për ekzekutime në grup në Korenë e Veriut, vendi i dominuar nga i riu Kim Jong Un, bir i diktatorit Kim Jong Il.

Sipas këtyre zërave, ekzekutimi i 80 të dënuarve është kryer në publik, në qytetin lindor Uonsan, ku autoritetet kanë mbledhur rreth 10 mijë spektatorë në stadium, për të pushkatuar një grup prej 8 burrash dhe grash me breshëri automatiku.

Ky regjim i marrë kërcënon vazhdimisht botën për luftë bërthamore, teston raketa balistike, shkakton shpërthime bërthamore nëntokësore. Për momentin dihet shumë pak mbi Kim Jong Un dhe planet e tij. Shumica e informacioneve vijnë nga të arratisurit dhe nga mbikëqyrja satelitore e amerikanëve. 

Në fillim të vitit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ngriti një komision të posaçëm mbi abuzimet me të drejtat e njeriut në Veri.

Lajme të ngjashme

Back to top button