ANALIZË: Alarmante situata me mos kontrollin e parave buxhetore!

Në mungesë të të dhënave të detajuara për atë se si shpenzohen dhe menaxhohen financat publike, veçanërisht për shkak të rrezikut nga keqpërdorimi i parave shtetërore për qëllime parazgjedhore, një pjesë e ekonomistëve në vend e ndezën alarmin. Thonë – ka nevojë për kontroll më të madh mbi qarkullimin e parave buxhetore. Analiza e të dhënave që janë në dispozicion nga institucionet kompetente tregon se për nëntë vjet, borxhi i jashtëm i vendit është rritur më shumë se dyfish, mirëpo nuk ka rritje edhe të PBB-së. Ka trend rritës edhe të borxhit publik, njofton analiza javore ekonomike e Portalb-it. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se të dhënat aktuale tregojnë se ka përkeqësim të pozitës afatgjate ekonomike të vendit dhe e hapin çështjen e krijimit të Këshillit fiskal.

Këshill fiskal që të kthehet besimi te institucionet…

Në situatë kur deficiti buxhetor gjatë shtatë viteve të kaluara nuk ka qenë më i vogël se 2% të PBB-së, ndërsa borxhi publik në periudhën e njëjtë të analizuar është rritur më shumë se dyfish, ka ardhur koha që të hapet çështja për atë se si menaxhohen financat publike dhe a e çojnë politikat aktuale vendin drejt një skenari të borxhit të thellë, komentojnë një pjesë e ekonomistëve. Mënyra se si harxhohen paratë buxhetore, përsëri është aktuale – në këtë vit zgjedhor. Ekonomistët nga organizata “Finance think“ vlerësojnë se në kushte të këtilla, ekonomia ka nevojë për mekanizëm plotësues për kontroll më të madh mbi financat publike.

“Idenë për krijimin e Këshillit fiskal e çmojmë si produktive dhe të dobishme në kontekst të reformës më të madhe institucionale për përforcimin dhe kthimin e besimit në institucionet e sistemit, veçanërisht në institucionet që janë të lidhura drejtpërdrejt me paratë publike. Në kontekstin momental, është me rëndësi të veçantë që këshilli fiskal të ketë kompetenca, e jo vetëm rol këshilldhënës, në menaxhimin e financave publike, në mes tjerash edhe për përcaktimin e shumave dhe burimeve të kreditimit, veçanërisht për borxhin e jashtëm publik, pastaj përcaktimin e lartësisë së deficitit buxhetor, në përputhje me projektimet për ekonominë, ciklin ekonomik dhe shumën e borxhit, projektimet makroekonomike me përdorimin e tyre të detyrueshëm gjatë projektimit të buxheteve”, theksojnë për Portalb nga organizata e cila i analizon gjendjet ekonomike në vend.

Mostransparenca në shpenzimin e financave publike, edhe sipas analistit ekonomik, Sllobodan Najdovski, është njëra nga shkaqet se pse duhet menduar për krijimin e këtij organi të ri, gjegjësisht mekanizmi për kontroll më të madh.

“Gjendja me mostransparencën gjatë miratimit të buxhetit, e pastaj edhe me shpenzimin e tij kulminoi në vitin 2012, me ngjarjet e 24 dhjetorit. Prej atëherë ne jemi dëshmitarë të mungesës së informatave për atë se si menaxhohen financat publike, gjegjësisht buxhetin e propozon dhe e miraton shumica në pushtet, pa debat. Kjo është vetëm një nga shkaqet se pse ka nevojë për formimin e Këshillit fiskal, organ që do të ketë jo vetëm funksion këshilldhënës, por edhe rol vendosës dhe autoritet të madh. Këshilli fiskal duhet të jetë i përbërë nga ekspertë me autoritet dhe kjo është e domosdoshme për shkak se ne tani nuk kemi qasje në atë se si harxhohen paratë buxhetore, cila është gjendja e vërtetë e borxheve, sa në të vërtetë është deficiti buxhetor”, thotë për Portalb analisti politik dhe ekonomik, Sllobodan Najdovski.

Kontroll më i madh për shkak të shpenzimeve zgjedhore…

Në vigjilie të vitit zgjedhor, kur tashmë u hap edhe çështja se a do të mjaftojnë huatë e deritanishme për t’i financuar premtimet qeveritare, organizatat joqeveritare konsiderojnë se ka nevojë për kontroll më të madh mbi shpenzimet.

Qendra për analiza ekonomike “QAE” së bashku me organizatën “Transparency international”, paralajmërojnë monitoring më të madh mbi shpenzimet publike, veçanërisht në këtë periudhë parazgjedhore.

“Qëllimi është të mbledhim informata dhe t’i potencojmë veprimet joligjore në lidhje me shpenzimin dhe financimin në dhe gjatë fushatave zgjedhore. Deri tani kemi pasur mjaft përvojë me konstatimin e shpenzimeve joligjore për partitë nga ana e pushtetit qendror dhe atij lokal, mirëpo edhe të paraqitjes së pamjaftueshme të të gjitha burimeve të financimit të partive politike dhe qëllimi ynë është të sigurojmë transparencë më të madhe për atë se çka ndodh me të vërtetë me financat”, thotë për Portalb Sllagjana Taseva nga “Transparency international”.

Këtë vit do të harxhohet buxheti më i madh në historinë e vendit prej 3,2 miliardë eurosh. Për pagesën e pjesës kryesore të borxheve dhe kamatës së tyre, shteti duhet të kthejë 450 milionë euro. Edhe pse në fund të vitit të kaluar, ministri për financa, Zoran Stavreski tha se paratë nga eurokambiali do të mjaftojnë që të financohet deficiti buxhetor për gjysmën e parë të këtij viti, javën e kaluar ministria krijoi borxh të ri prej 15 milionë eurosh, duke marrë hua nga kreditorët e vendit. Për këtë vit, qeveria paralajmëroi pensione më të larta dhe ndihmë më të madhe sociale, lirime plotësuese për nxënësit e shkollave të mesme dhe transport falas për studentët – premtime dhe projekte që duhet të realizohen në vitin zgjedhor 2016. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button