TRE QETË DHE UJKU

Thonë se shqiptarët janë në fazën e ndërgjegjësimit dhe konsolidimit të plotë në nivel etnie, se shekulli XXI është yni, se jemi më mirë se kurdoherë, se jemi pjekur si pjesa më e qytetëruar e globit, se jemi në prag të realizimit te ëndrrës Rilindëse, se…

Thonë e çfarë nuk thonë dhe këtë e argumentojnë me kacagjelimet e vazhdueshme brenda dhe jashtë kufijve të gjysëmshteteve shqiptare, që aktualisht janë modeli më i përkryer i miletit të paaftë për të bërë vatanin e falur vetëm një here nga i Gjithfuqishmi.

Thonë gjithçka dhe ne e besojmë mjegullnajën konstante me përmasa ileti, të shpërndarë si opium nga klane qendrash e ideologjishë të ndryshme.

E besojmë pabëzajtur dhe pa shtruar ca pyetje në krye të vijës – para se ta hamë sapunin, pa ndryshuar filozofinë e bërjeqejfeve, pa gërvishtur pak imazhin e prijësve që i zgjedhim me hosanna dhe i rrëzojmë pastaj me allalla, pa dyshuar në dhuratat e shpëtimtarëve dhe danajve të Homerit…

Ja, prej dje, ta zëmë, jemi entuziazmuar për dorëheqjen e kryeministrit narcisoid e inatçor, i cili nuk e fshehu asnjëherë disponimin antishqiptar, të demonstruar në shumë raste në trajtë ofanzivash luftarake, ku erdhi në shprehje forca e pushtetit dhe mekanizmat e disiplinimit të armikut të përhershëm të sajesës biblike.

Entuziazmi është i fortë dhe aktualisht nuk i bën vend syrit racional që e dikton açik mbi fron hijen e carit të prapë, siluetën e xhingiskanit, të cilin do ta shohë sërish mileti pas zgjedhjeve të Pustecit, që flitet se do të organizohen në prill të këtij viti.

E si mund të jetë ndryshe në shkretishten e Ahmet Selmanit, në të cilën thuhet se ekzistojnë tabirsaraje speciale, ekspertë të teorive konspirative që mbajnë gishtin tregues në pulsin e gjynahut dhe peshojnë në kandare filigranike ëndrrën time, tënden, tonën…

Kështu e shohin havanë të mallkuarit e kësaj bote të mbushur ding me entuziastë, që nuk e kanë të qartë se fati i tyre varet nga guzhina politikash e projektesh institucionale, jo nga teke individësh nëpërmjet të cilëve artikulohet e keqja që bie një dajm mbi kurrize kërmijsh.

Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, të dashurit e mi, për sa kohë që për shpirt-robin frika më e madhe është liria dhe armiku më i tmerrshëm vetvetja, për sa kohë që vërshimën e lumit tentojmë ta ndalim me shatiçe, për sa kohë që nuk e zbërthejmë metaforën e Ezopit mbio tre qetë dhe ujkun, për sa kohë që nuk e themi hapur se në këtë shtet as kemi pasur, as kemi, as do të kemi pushtet faktik, për sa kohë nuk ia dalim të bashkojmë energjitë e ishullzuara për intreresa që nuk kapërcejnë pragun e filozofisë së kabiles sonë të madhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button