Lëvizja BESA: Shkelësit e Marrëveshjes së Përzhinos nuk mund të organizojnë zgjedhje të lira

“Meqë palët nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos vazhdojnë t’i shkelin afatet, qoftë në fushën e pikave që kanë të bëjnë me mediat, ato që janë të lidhura me listën zgjedhore dhe në përgjithësi me procesin zgjedhor, por edhe në pikën e dorëheqjes së kryeministrit Gruevski, Lëvizja BESA me keqardhje konstaton se po konfirmohet bindja jonë se këto parti nuk janë të interesuara për tejkalimin e krizës, dhe për perspektivën e vendit, por as nuk kanë shfaqur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, deklarojnë nga Lëvizja Besa.

Sipas tyre, mosiplementimi i marrëveshjes së 2 qershorit implikon dëmtimin ose, më saktë, manipulimin e procesit zgjedhor, të paraparë për 24 prill, pastaj e dëmton seriozisht lirinë e mediave, por edhe në përgjithësi e rrënon demokratizimin e vendit dhe perspektivën euro-atlantike të tij.

“Duke pasur në konsideratë të gjitha këto, BESA beson fare pak se kjo klasë politike është e interesuar që të kemi zgjedhje të drejta dhe pa manipulime, madje sipas nesh, arsyeja e sabotimit të marrëveshjes është që skenari i zgjedhjeve të jetë një reprizë me letërnjoftime të falsifikuara, me listë zgjedhore fiktive, me manipulim të procesit zgjedhor, me hapësirë mediatike në shërbim të partive në pushtet dhe, në fund, me një qeveri jodemokratike”, shtojnë nga Lëvizja Besa.

L.BESA kërkon nga faktori ndërkombëtar, si garantues i asaj marrëveshje, që të jetë më këmbëngulës dhe insistues ndaj implementimit të Marrëveshjes dhe procesin ta zhvillojë konform asaj dinamike. Në të kundërtën BESA do ta shqyrtojë seriozisht mundësinë që të bëjë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button