Gënjeshtrat për investimet në teleferikun dhe në Kodrën e Diellit, shumë fjalë aspak punë!

Që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001 asnjë lëvizje nuk është bërë për teleferikun jofunksional që lidhte Tetovën me Kodrën e Diellit, edhe pse për investime të reja tashmë flitet vite me radhë. Duke nisur nga viti 2013, 2014 dhe 2015 me shumë pompozitet thuhet se Kodra e Diellit përpos teleferikut do të modernizohet edhe në sferat e tjera.
LEXO: ‘Kodra e Diellit’ dhuratë nga natyra (FOTO reportazh)

Tani rreth objektit që dikur ishte teleferik kullotin delet
Rreth objektit që dikur ishte teleferik kullotin delet. Foto e bërë më 22.04.2014

Sipas planit të shpallur, ndërmarrja “Elem Turs” do të investojë 17 milion euro për ndërtimin e teleferikut të ri me 6 ulëse, liqen artificial që do të jetë për prodhimin e borës artificiale në kushtet kur nuk do të ketë borë natyrale dhe ndërtimin e një parkingu. Teleferikun do ta projektojë dhe do të ndërtojë kompania italiane “Leitner”, vendosi kompania ELEM atëbotë. Gjatësia e trasesë së teleferikut të ardhshëm duhet të përfundonte në vitin 2015 dhe do të jetë 1420 metra, ndërsa kapaciteti maksimal do të jetë 3200 skiatorë për një orë.

 

Nga nëntori i këtij viti në Kodrën e Diellit, do të kemi borë artificiale. Kështu para dy viteve për Portalb tha drejtori i kësaj qendre turistike, Petre Dimitrievski.

Megjithatë, redaksia Portalb ishte në Kodrën e Diellit dhe nuk ka vërejtur asnjë punë konkrete në terren, që mbase pas dy viteve të shpalljes,do të ishte logjike të punohej për një projekt gjigand si ky. Por, kjo nuk e shqetëson kompaninë “Elem”, përfaqësuesit e së cilës për Portalb thanë se ende janë në fazën e parë të projektit(?!).

Kodra e Diellit, 23.01.16
Kodra e Diellit, 23.01.16

Zëdhënësja e “Elem Turs”-it, Ana Zdravkovska tha se ata janë brenda afatit të realizimit të fazës së parë të punimeve, e cila zgjat deri në vitin 2017.

“Ne jemi brenda afateve të përcaktuara kohore dhe nuk jemi vonuar” tha shkurtër për Portalb, Zdravkovska.

Nuk ishte bindëse as Jovanka Stojanova – udhëheqëse e Shoqërisë për turizëm, hotelieri, rekreacion dhe sport “Elem Turs” e cila tha se janë duke e realizuar fazën e parë të “Master planit për zhvillimin e Kodrës së Diellit”. Edhe pse e njëjta në vitin 2014, tha se punimet në terren do të nisin fill pas sezonit të skijimit që duhej të ishte viti 2015, i cili kaloi pa asnjë lopatë në truall.
Ajo përsëriti refrenin e njohur si Zdravkovska.

“Kjo fazë do të zgjasë deri në vitin 2017 dhe në të do të parashihen më shumë investime për të cilat është folur gjatë viteve të shkuara. Pikërisht gjatë kësaj periudhe do të ndërtohet teleferiku me kabina për 6 persona, me çka do të përmirësohet infrastruktura e kësaj qendre të skijimit. Për këtë qëllim është zgjedhur kompania e cila do t’i kryejë punimet. Ajo pritet qe t’i nisë me punë pas këtij sezoni të skijimit. Gjatë fazës së parë është paraparë edhe ndërtimi i sistemit për prodhimin e borës artificiale. Për këtë kanë nisur aktivitetet e para, ashtu si dhe zgjerimi i kapacitetit të parkimit, futja e sistemit elektronik për bileta dhe disa punë të tjera” tha për Portalb, Stojanova.

Kodra e Diellit, 23.01.16
Kodra e Diellit, 23.01.16

Redaksia e Portalb-it kontaktoi edhe me Komunën e Tetovës me një pyetje konkrete drejtuar tyre: ”A ka kërkuar deri më tani Komuna llogari nga kompania ELEM, e cila qysh në vitin 2014 thotë se do ta ndërtojë teleferikun, pse deri më sot nuk ka asgjë konkrete?”

Ndërkaq përgjigjja që morëm nga Armend Fazliu nga Zyra për informim e Komunës së Tetovës ishte tejet konfuze dhe e përgjithshme, e cila është si vijon më poshtë:

“Komuna e Tetovës ka bërë plan për revitalizimin e Qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’. Po punohet intenzivisht në planin detal urbanistik për këtë qendër turistike, me mjaft peshë për banorët e Tetovës dhe turistët e jashtëm. Sa i takon gatishmërisë së institucioneve dhe kompanive tjera të cilat dëshirojnë të investojnë, Komuna e Tetovës është në gatishmëri të plotë t’ju ofrojë asistencë të plotë në kuadër të kompetencave ligjore që disponon”

Gjendja e rrugëve në Kodrën e Diellit
Gjendja e rrugëve në Kodrën e Diellit

Të pa-mjaftuar nga kjo përgjigje,  Portalb kontaktoi numrin dy të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili i cili ishte optimist dhe tha që në pranverën që vjen pritet të filloj ndërtimi i këtyre projekteve, duke lënë anash faktin që ka dy pranvera tani më që paralajmërohet të fillojnë këto investime.

“Komuna e Tetovës është në bisedime me Ministrinë e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë e cila duhet të caktojë kushtet e planifikimit për ndërmarrjen ‘Elem’. Kjo ndërmarrje në bazë të asaj që bisedojmë, planifikon të investojë 17 milion euro. Në bazë të pëlqimit pozitiv që pritet të jep Komuna e Tetovës, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë do të jep përgjigje pozitive për ‘Elem’ dhe më këtë në pranverën që vjen pritet të filloj ndërtimi i këtyre projekteve.”  tha Xhemaili për Portalb.

Premtimet se do të investohet janë të vjetra, po aq sa dëshira e adhuruesve të sporteve dimërore për të pasur një teleferik të ri që do t’ua mundësonte ngjitjen nga Tetova për në Kodrën e Diellit dhe do të kontribuonte dukshëm dhe në rregullimin e kaosit në komunikacion që e bëjnë turistët gjatë sezonit në këtë vend turistik.

LEXO: Kodra e Diellit edhe gjatë kohë do të mbetet pa teleferik
LEXO: Tender i ri për teleferikun Tetovë- Kodra e Diellit
LEXO: Teleferiku i Kodrës së Diellit mbeti vetëm në kujtesë
LEXO: ELEM do ta ndërtojë teleferikun me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button