A mund të ndodhë çudia: nis e avullon epërsia e Klintonit

Situata në fillim. Ashtu si gjithë bota analitike në SHBA e nëpër botë, në këtë blog disa herë kemi përsëritur se gara demokrate për nominin të kandidatit presidencial ka përfunduar para se të fillojë. Që në fillim Hillari Klinton dukej favorite e pakontestuar dhe me përjashtim të Xho Bajdenit nuk mund të paramendohej se dikush mund t’i bëjë konkurencë serioze. Hillari është figurë e njohur dhe tejet e popullarizuar në rradhët e demokratëve. Ajo ka mbledhur resurse superiore në fushatë, si me mjete ashtu dhe me staf të kampanjës, ka mbështetje nga i gjithë establishmenti, madje veçmë ka 313 delegatë që sigurisht do t’a mbështesin në konventë. Në fund ajo në anën e saj ka xhokerin Bill Klinton, hë për hë ikonën më të popullarizuar demokrate.

 

Situata tre javë para votimeve. Gjatë kohë fitorja e Klintonit dukej aq e sigurtë, saqë edhe vetë kandidatja nuk u morr aspak me konkurentët demokratë. Në debat pas debati ajo fliste më tepër për elektoratin e përgjithshëm, duke sulmuar zakonisht republikanët. Por gjithçka ka ndryshuar në fillim të vitit 2016. Përnjëherë duket se Klintoni seriozisht është rrezikuar nga Berni Sanders, i cili i është afruar tepër në anketa. Por se kanosja e Sandersit nuk është vetëm çështje anketash vërteton edhe ndryshimi i kursit të kampanjës së Klintonit. Gjithnjë e kujdesshme për të mos përsëritur gabimin e vitit 2008 kur kandidatja e sigurtë Klinton u befasua nga një tjetër senator demokrat, Barak Obama, këtë rradhë fushata po adreson me kohë konkurentin Sanders. Mu për këtë ditët e fundit janë shtuar sulmet e saj ndaj Sandersit, kryesisht në çështjen e kontrollit të armëve ku Sandersi ka pikën e vet të dobët.

Por a mund çudia të ndodhë përsëri? A mund Berni Sanders t’a befasojë përsëri për së keqi Klintonin, por edhe gjithë klasën politike amerikane? Si është gjendja reale e garës në vendet që votojnë të parat dhe në nivel nacional?

 

Gjendja në Ajova. Pikërisht humbja në Ajova në 2008 lëkundi rëndë sigurinë e Klintonit dhe lansoi fituesin Barak Obama si kandidat serioz për president. Një gjë e këtillë nuk dukej se mund të përsëritet në 2016, në këtë shtet ku nuk mendohej se ka treg për idetë politike socialiste të Sandersit. Vetëm një muaj më parë Klinton këtu kishte epërsi prej 16% sipas RCP dhe 13% sipas HuffPost. Por siç mund të shihet epërsia e Klintonit në Ajova ka avulluar plotësisht. Sipas RCP gara në Ajova tani është e barabartë, ndërsa sipas HuffPost Klinton akoma ka një përparësi prej 5%.

Demokratet ne Ajova 14 Janar
Demokratet ne Ajova 14 Janar
Kandidati RCP HuffPost 538
Klinton 45.5%   (-6.1%) 47.1%  (-3.5%) 52.0%
Sanders 45.3%   (+8.1%) 42.3%  (+4.3%) 40.1%
O’Malli 5.0%     (+0.4%) 5.6%    (+0.8%) 6.7%

Për një muaj Sanders ka bërë kthesë për 15% sipas RCP dhe 8% sipas HuffPost. I vetmi që mbetet tejet optimist për fitoren e Klintonit është sajti analitik 538, i cili të dhënat e anketave i plotëson me faktorë të tjerë relevantë. Sido që të jetë, tre javë para votimeve, Ajova është e hapur për fitore dhe mund të servojë befasinë e rradhës për Klintonin.

 

Gjendja në Nju Hempshër. Pas humbjes në Ajova në 2008, Klintoni bëri kthesë dhe barazoi garën me fitore ndaj Obamës në Nju Hempshër, shtet që voton i dyti. Por këtu ajo nuk i ka patur punët mirë që në fillim. Këtu Berni Sanders udhëheq që moti garën, ndërsa muajin e fundit vetëm ka thelluar edhe më epërsinë:

Demokratet ne Nju Hempsher 14 Janar
Demokratet ne Nju Hempsher 14 Janar
Kandidati RCP HuffPost 538
Klinton 42.6%   (-0.4%) 44.3%  (+1.2%) 48.1%
Sanders 48.8%  (+0.8%) 49.8%  (+3.5%) 45.8%
O’Malli 3.0%     (-1.0%) 2.7%    (+0.2%) 4.0%

Pra muajin e fundit Sanders në Nju Hempshër ka konsoliduar avantazhin duke shtuar 1-2% epërsi. Përsëri më optimist për gjasat e Klintonit është sajti 538.

 

Gjendja në nivel nacional. Anketat në nivel nacional nuk kanë shumë rëndësi, sepse votimet mbahen shtet pas shteti dhe jo në të njëjtën kohë. Rezultatet nga Ajova dhe Nju Hempshër sigurisht do të ndryshojnë shumëçka në nivel nacional. Sidoqoftë në garën nacionale Klinton akoma ka komoditet të madh, megjithëse edhe këtu hapësira shkon duke u ngushtuar:

Demokratet ne nivel nacional 14 Janar
Demokratet ne nivel nacional 14 Janar
Kandidati RCP HuffPost Bastoret
Klinton 48.3%   (-6.3%) 52.4%  (-3.3%) 82%  (-12%)
Sanders 39.7%  (+7.5%) 38.5%  (+8.1%) 17% (+12%)
O’Malli 2.3%     (-0.3%) 2.4%    (-0.5%) 1%

Klinton akoma ka avantazh prej 10-15% në nivel nacional, por vetëm një muaj më parë ky avantazh ishte rreth 25%. Sajti 538 akoma nuk ka projeksione për garën nacionale, por bastoret pajtohen me anketat. Nga avantazhi 94-5 që kishte para një muaji, gjasat e Klintonit tani janë 82-17.

 

Gjasat reale. Çka do të thotë e gjithë kjo për garën? A po bëhet Sandersi kandidat serioz, a ndodh diçka reale në rradhët e demokratëve, apo anketat e këtyre ditëve janë përjashtime të rastit? Përgjigjen më të mirë gjithsesi do t’a japin kaukuset e Ajovës pas tre javësh, kur do të kemi indikacionet e para për fuqinë reale të kandidatëve.

Në ndërkohë duhet patur parasysh se Klinton edhe më tej është favorite, sepse Ajova dhe Nju Hempshër megjithatë janë vende specifike. Pas tyre kontesti vazhdon në jug, ku Klinton gëzon përkrahje shumë më të madhe se veriori Sanders. I ashtuquajturi “mur klintonian i jugut” duhet t’a nxjerrë atë në vend të parë me numër delegatësh dhe këtë përparësi ajo pritet t’a mbajë deri në fund.

Por nuk duhet harruar as rasti i vitit 2008. Edhe atëherë Klinton ishte favorite absolute dhe nuk dukej se senatori i ri Obama mund realisht t’i bëjë ballë. Ajova, ku fitore korri Obama, dha alarmin e parë se Obama është kandidat vërtetë serioz dhe detyroi një numër të madh demokratësh të rishqyrtojnë mbështetjen dhënë Klintonit. Nuk përjashtohet mundësia që e njëjta gjë të ndodhë edhe në vitin 2016.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button