Han: Presim zgjidhje të çështjeve kryesore të “Përzhinos”, sot ose nesër

Dita e nesërme, 15 janari, është kyçe për Marrëveshjen e Përzhinos. Komisari për zgjerim, Johanes Han, i cili sot do të arrijë në Shkup, thotë që të gjitha çështjet kryesore të marrëveshjes patjetër duhet të zgjidhen sot ose më së vonti nesër, njofton Portalb.

Ky është mesazhi i Han-it i cili ai vendosi ta dërgojë përpara se të niset për në Shkup. Me këtë mesazh, ai shpreson se zgjedhjet mund të mbahen sipas marrëveshjes, pra me 24 prill.

“Ky 15 janar është afat kyç për marrëveshjen politike dhe zbatimin e saj e cila është e rëndësishme edhe për Qeverinë edhe për qytetarët e vendit. Presim që të gjitha elementet kryesore të marrëveshjes politike të zgjidhen para ose gjatë vizitës sime, me çka zyrtarëve të zgjedhjeve do t’u lejohet të organizojnë zgjedhje kredibile sipas kalendarit të paraparë me marrëveshjen politike”, thotë Han.

Han paralajmëron takime me katër partitë të cilave do t’ua përsërisë se ata janë përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes duke përfshirë edhe “sigurimin e kushteve për zgjedhje kredibile sipas afatit që ata janë marrë vesh”.

Gjithashtu do t’ua rikujtojë se është e nevojshme edhe zbatimi “Urgjent i reformave prioritare”, për të cilat partitë gjithashtu kanë nënshkruar se do t’i bëjnë.

Të rikujtojmë se dokumentin për zbatimin “Urgjent të reformave prioritare” e ka bërë Komisioni Evropian sipas raportit ekspert të Rajnhard Pribe. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button