Armët kimike, Meta: Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj

Kryetari i LSI-së, njëherësh kreu i parlamentit, Ilir Meta siguron se vendimmarrja për çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, do të bëhet përmes një procesi transparent, duke theksuar se vendi do të marrë përgjegjësi aq sa mund të përballojnë kapacitetet e saj.

Pas një takimi informal me kryeministrin Rama dhe ambasadorin amerikan Arvizu, pasi zhvilluan homazhe në nderim të ushtarëve britanike, kreu i Parlamentit iu përgjigj gazetarëve për çështjen e armëve kimike, duke theksuar se “Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj”.

“Ka qene një bisedë informale, shoqërore mbas një aktiviteti të përbashkët në kujtim të të rënëve britanikë. Përsa i takon çështjeve të kapaciteteve tona, unë i qëndroj deklarimit që kam bërë që Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj ndërsa kjo është një çështje tjetër. Më duhet t’ju them që Shqipëria ka marrë, do të marrë gjithë përgjegjësitë që ajo është në gjendje të mbajë dhe padyshim që gjithçka do të diskutohet dhe do të vendoset në një proces tepër transparent, nuk ka asnjë arsye për të paragjykuar këtë proces.”- u shpreh Meta.

Pas deklaratës së kryediplomatit Bushati se autoritetet shqiptare janë kontaktuar nga SHBA për të shqyrtuar mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar, ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë nisur protestat. Sipas tyre, Kushtetuta e vendit e pengon një gjë të tillë, ndërkohë që theksojnë se ky lloj operacioni mund të jetë me pasoja shumë të rënda për mjedisin.

Sipas ambientalistëve, është e turpshme që vendi të kthehet në një kosh plehrash, ndërsa kanë kujtuar se vetëm pak javë më parë një ndër vendimet e para të qeverisë ishte pikërisht ndalimi i importit të mbetjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button