MPB-ja, do të kërkojë eksperiencën e kuadrove në pension kundër delikuencës

Zvogëlim i delikuencës minorene, dhunës në shkolla, në ndeshjet sportive, parandalim nga keqpërdorimi i drogave dhe angazhim shtesë i kuadrove të pensionuar policorë të cilët kanë përvojë në këto sfera, ka për qëllim marrëveshja, të cilën sot e nënshkruan Ministria e Punëve të Brendshme dhe përfaqësues të organizatës joqeveritare “Qendra e Maqedonisë për kulturë dhe zhvillim”.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim afatgjatë fillojmë fazë të re në trajtimin e  parandalimit në shoqëri. Siguria si kategori dhe parandalim nga secili lloj i kërcënimeve me të cilat ballafaqohemi, për ne janë prioritet kulmor. Bashkëpunimin që e kemi vendosur hap perspektivë të re në punë, me ç ‘rast përmes programeve dhe projekteve të cilat do të zbatohen, do të kontribuohet për parandalimin e dhunës”, tha pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Sipas të dhënave të MPB-së, në dhjetë muajt e parë të viti, ka 109 nxënës të lënduar, prej të cilëve tre me lëndime të rënda. Janë regjistruar 109 raste të sjelljes së dhunshme në shkolla, prej të cilave 69 në shkollat e mesme, ndërsa 40 në shkollat fillore. Në një rast është gjuajtur edhe me armë zjarri në ajër, në dy raste  janë përdorur gjësende të ashpra. Janë ngritur padi penale kundër 21 kryerësve për shkak të dyshimit për vrasje në tentim, lëndime të rënda në trup dhe dhunë. Kundër 119 personave janë parashtruar kallëzime penale.

Ministrja e Punëve të Brendshme tha se me bashkëpunimin e vendosur sot do të bëhen tentime për përmirësimin e ambientit të përgjithshëm më disa rajone, parandalim të dhunës në shkolla, parandalim nga manipulimi kompjuterik, parandalim nga dhuna gjatë ndeshjeve sportive. Përfaqësuesit e Qendrës së Maqedonisë për kulturë dhe zhvillim theksuar se për realizimin e projekteve do të përfshihen edhe studentë nga fakultetet e sigurisë, por edhe pjesëtarë të pensionuar të MPB-së, të cilët kanë përvojë në këtë sferë të parandalimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button