Gëzim Kelmendi: Unë, i pari më 2011, e ngrita zërin për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se ai nuk do ta votojë Hashim Thaçin për president të vendit.

Kelmendi ka theksuar se është kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) e cila, sipas tij, po e cenon integritetin territorial të Kosovës dhe se “përbën shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit, që është vërtetuar edhe Gjykata Kushtuese”.

“Për marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit Kosovë-Mal i zi nuk kam as çka të shtoj nga ajo që kam thënë më herët. Këtë temë, me mburrje e them, kam qenë i pari që e kam ngritur në Kuvendin e Kosovës. Mund t’i lexoni transkriptet e datës 25 mars 2011, e do t’i vërtetoni këto që po i them”, ka theksuar ai.

Kelmendi, duke folur për protestat e opozitës, ka thënë se protesta e drejtë e garantuar me Kushtetutë, ndaj nuk sheh ndonjë problem në këtë aspekt.

“Parimisht jam pro protestës, mirëpo më kanë brengosur pamjet e rënda të së shtunës – eskalimi i saj në dhunë. Pamjet e policëve të lënduar më kanë bërë të ndihem keq. Paramendojeni që vajza ose djali i ndonjërit prej policëve të ketë qenë para televizorit e ta shoh prindin e lënduar. Policët, shumica prej tyre, janë më të pafajshmit në këtë mes. Shumë qytetarë, në takimet që i kam me ta, më thanë që kanë marrë pjesë në protestë për ta kundërshtuar këtë pushtet, i cili po e rëndon jetën e tyre. Ata qytetarë ishin kundër Qeverisë dhe nuk kishin dalë për t’i mbështetur partitë opozitare”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është i vetmi opsion për të dalë nga kjo krizë të cilën po e kalon vendit tash e sa muaj.

“Të maten forcat në terren dhe të shihet se kënd po e mbështesin qytetarët përmes votës së tyre”, ka shtuar Kelmendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button