Tiranë, gjashtë ambasadorë pritet të largohen më 17 nëntor

Shkarkimi kohë më parë që presidenti Nishani ka bërë për gjashtë ambasadorë shqiptarë në vendet më të rëndësishme të botës, pritet të sjellë largimin e tyre përfundimtar, pikërisht më 17 nëntor.

Këtë e bëri të ditur vetë ambasadori ynë në Zvicër, Mehmet Elezi. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar merr fund qëndrimi pa limit i ambasadorëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës.

Pas kërkesës së Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për largimin e 24 ambasadorëve aktualë nga shërbimi diplomatik, me arsyetimin se e kanë kaluar moshën për pension e një pjesë janë emërime politike në diplomaci, Presidenti Bujar Nishani ka firmosur shkarkimin e gjashtë prej tyre.

Të cilët sipas burimeve brenda Ministrisë së Jashtme do të lënë detyrën pikërisht më 17 nëntor të këtij viti, ditën e përvjetorit të çlirimit të kryeqytetit nga pushtuesit nazifashistë. Kreu i shtetit shkarkoi nga detyra Vili Minarollin, ambasador në Vjenë që ka qënë kohë më parë ambasador në Athinë e akoma më herët ka qënë deputet i PD dhe sekretar i marrëdhënieve me Publikun në këtë parti. Gjithashtu Nishani ka shkarkuar Mehmet Elezin, ambasador në Bernë të Zvicrës, ish-sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Rinisë së PPSH, më pas marrë me gazetari dhe politikë. Eshtë shkarkuar dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup të Maqedonisë Arben Çejku, si dhe një diplomat karriere, ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi. U shkarkuan dhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi Ruhi Hado si dhe ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi.

Mësohet se pikërisht më 17 nëntor këta 6 ambasadorë pritet të lënë detyrën në këto vende. Në fakt të tillë e ka pranuar dhe ambasadori në Austri Mehmet Elezi, që teksa ka patur një takim me shqiptarët e qytetarët me prejardhje shqiptare që punojnë e jetojnë në Zvicër, për bashkëpunimin e shkëlqyer me ambasadën gjatë këtyre viteve, ka pranuar se me 17 Nëntor 2013 përfundon misionin si ambasador në Zvicër e në Liechtenstein. Por një komentator anonim, teksa komenton lajmin e largimit të Elezit më 17 nëntor dhënë në www.presheva.com shkruan se “… megjithatë një gjë nuk e kishte mësuar ende në Zvicër, se librat nuk shiten të paregjistruara e të patatimuara siç e shiste ambasadori fjalorin e tij”. Duke lënë për të kuptuar se ka përdorur petkun diplomatik për të tregtuar librat e tij.

MEHMET ELEZI

Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër ka qënë sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Rinisë së PPSH, e ka pasur lidhje direkte me ish-diktatorin Enver Hoxha. Madje është cilësuar prej tij, e ardhmja e partisë, duke i hapur të gjitha dyert në regjimin e asaj kohe.
 
MAL BERISHA PRITET TE MOS LEVIZE NGA LONDRA 

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Mal Berisha pritet të mos përfshihet nga reforma që do të ndërmerret në shërbimin diplomatik shqiptar. Burime të besueshme nga Ministria e Punëve të Jashtme bëjnë me dije se i preferuari dhe miku i ngushtë i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk është në listën e ambasadorëve që është kërkuar për t’u larguar nga shërbimi diplomatik. Duket se një veprim i tillë është bërë për vetë faktin se Mal Berisha nuk është në moshën e pensionit dhe për më tepër ai nuk ka shumë që është emëruar në krye të ambasadës sonë në Londër, dhe ka qënë pikërisht Presidenti i Bujar Nishani, i cili menjëherë sapo mori detyrën firmosi emërimin e tij, pas refuzimit që i kishte bërë kohë më parë ish-presidenti Bamir Topi. Pavarësisht se është kontestuar nga socialistët kohë më parë me argumentin se ka rol dhe në mosekstradimin Kumbaros të akuzuar se ka marrë pjesë në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.

 NE LISTE SHKARKIMI DHE 18 DIPLOMATE TE TJERE

Diplomacia shqiptare mund të quhet jashtë funksionit, pasi nga 55 përfaqësi që ka Shqipëria në botë, në 24 prej ambasadorëve tanë u ka përfunduar mandati katërvjeçar. Janë dhe 18 ambasadorë të tjerë për t’u shkarkuar pas shkarkimit nga presidenti të gjashtë prej tyre. Sipas ligjit, ministri i Jashtëm i propozon Kryeministrit kandidatin për ambasador dhe kreu i qeverisë ia propozon për dekretim Presidentit. Pasi merr firmën e Presidenti, kandidati për ambasador bën një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Punëve të Jashtme.

Gjë që deri më tani nuk ka ndodhur ende, megjithëse ka ambasadorë që janë ngulur në karriket e këtyre ambasadave gati dhe tetë vite, përtej të gjitha limiteve kohore të mundshme. Në këtë kontigjent që pritet të shkarkohen, janë ambasadorët tanë në BE, në NATO, në OKB dhe në kryeqytetet e vendeve më të rëndësishme të botës, ku shërbimi diplomatik shqiptar drejtohet nga ambasadorë që kanë kaluar gjithë afatet.
 
REFORMA NE MPJ, SHKURTIME 30 % NE DIPLOMACI

Reforma në Ministrinë e Jashtme dhe në Shërbimin diplomatik shqiptar pritet shkaktojë një tronditje të fortë, teksa nuk do të jenë më në këtë shërbim një numër i konsiderueshëm personash. Mësohet se është bërë tashmë organigrama në MPJ dhe pritet të ketë një shkurtim drastik që lëviz nga 25-30 përqind të njerëzve të punësuar në këtë ministri por dhe në ambasadat dhe konsullatat shqiptare në të gjitha vendet. Janë shkrirë katër drejtori të përgjithshme, por dhe do të shkurtohen ambasada dhe personel./shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button