Bie fluksi i refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë

Refugjatët edhe gjatë ditës së djeshme kanë arritur nga Greqia në Maqedoni, ku nga kufiri në orët e mesditës kaluan më shumë se 800 refugjatë të cilët pas procedurës së regjistrimit që bëhet në qendrën e pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli, vazhdojnë drejt vendkalimit kufitar verior të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dejan Kladarin, nga Zyra për mbrojtjen ligjore të refugjatëve në UNHCR Maqedoni, në një deklaratë për AA, tha se ditëve të fundit është shënuar rënie e numrit të refugjatëve që vijnë në Maqedoni, dhe kjo varet nga disa faktorë.

“Në ditët e fundit kemi një numër më të vogël të refugjatëve në krahasim me dhjetorin, kur mesatarja ishte midis 2.000-3.000 në ditë, kurse tash gjatë gjithë fundjavës kemi rreth 3 mijë e 200 refugjatë. Trendi i mbërritjes së refugjatëve varet nga shumë faktorë, situata në Greqi, nga transporti, nëse transporti funksionon normalisht, kushtet e motit, etj.”, tha Kladarin.

Në periudhën e fundit në vendkalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk ka të ashtuquajtur migrantë ekonomikë që vijnë nga “vendet e treta”, gjegjësisht migrantë ku në vendet e tyre nuk ka luftë, por si zona të luftës janë deklaruar vendet si Siria, Afganistani dhe Iraku.

Kladarin duke folur si oficer për mbrojtjen ligjore në UNHCR thotë se përzgjedhja nga vendi i origjinës nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në kuadër të procedurës pasi të ashtuquajturit migrantë ekonomikë do të vijnë në Maqedoni, ai thotë se informohen me mundësitë për të kërkuar azil në Maqedoni dhe nëse nuk shprehin dëshirë për ta bërë këtë, kthehen në Greqi.

“Për atë që më pastaj ndodh është e vështirë për të thënë sepse ato kthehen në Athinë, ku ka qendra. Idealisht kjo duhet të zgjidhet në përputhje me planin e BE-së për të zgjidhur krizën, e cila përbëhet nga 17 pika, dallimi të mos bëhet mbi bazën e kombësisë, por nëse ndonjëri ka nevojë për mbrojtje ndërkombëtare apo jo”, tha Kladarin.

– Migrantët ekonomikë nuk janë në kalimet kufitare –

Edhe në anën greke të kufirit jugor në Idomeni, nuk ka migrantë ekonomikë ndërsa refugjatët kalojnë pa vonesa të konsiderueshme.

Anëtarët e ekipeve të UNHCR-së në Idomeni informuan se policia greke me autobusë i kthen në Athinë, ku ka qendra të qëndrimit. Atje, ata kanë të drejtë të kërkojnë azil. Nga UNHCR-ja thonë se është një numër i vogël i atyre që për arsye të ndryshme janë të detyruar të kthehen në vendet e tyre, ndërsa migrantët që kanë gjetur mundësi financiare kërkojnë kalime të paligjshme alternative.

Dje në orët e pasdites, policia maqedonase në vendkalimin kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë solli një grup të migrantëve, për të cilët policia tha se janë përpjekur të kalojnë kufirin me dokumente të rreme identifikimi të cilat janë dorëzuar policisë greke kufitare të cilët morën masa shtesë.

– Nëpërmjet Mesdheut në vitin 2015 kaluan mbi një milion refugjatë, nga Maqedonia më shumë se 600-700 mijë-

Nga aspekti i statistikave, Kladarin informoi se gjatë vitit 2015 mbi një milion refugjatë kanë kaluar përmes Mesdheut dhe një numër i konsiderueshëm i tyre nëpërmjet Maqedonisë.

“Numri i refugjatëve që kaluan rrugën e Mesdheut e kaloi shifrën prej një milion, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre kaluan nga Greqia në Maqedoni, Serbi dhe më tej. Shifër më e lartë se 600-700 mijë njerëz. Kjo është valë e madhe e refugjatëve, shumica e të cilëve vijnë nga zonat e prekura nga lufta”, tha mes tjerash Kladarin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button