Jakup Krasniqi: A mund të jetë normal ky njeri?

Kryetari i Këshillit të NISMA-s për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit, Isa Mustafa, se Qeveria të cilën udhëeq do të vazhdojë të punojë deri në vitin 2018.

Krasniqi ka shtuar se kjo është dëshmia më e mirë se pushteti në Kosovë nuk merret për të qeverisur në shërbim të publikut e të shtetit, por në shërbim të grupeve të bashkuara (të armiqësuara skajshmërisht) të nëntokës se kriminalizuar.

” Se po të ishte interesi i publikut, kjo kastë politike (e kriminalizuar) do ta analizonte mirë e mirë gjithë të bërat e të pa bërat e këtij koalicioni të ngritur mbi pikëpamjet e despotizmit aziatik, të një periudhe më shumë se njëvjeçare. Dhe të gjitha analizat, do të duhej të të çonin (gjithnjë po flasim për gjendje e njerëz normal/e), ne një qeverisje teknike e pastaj në zgjedhjet e parakohshme” , transmeton Klan Kosova.

Lexojeni shkrimin e plotë të Krasniqit:

A MUND TË JETË NORMAL KY NJERI?

Nga Jakup Krasniqi

“Qeveria do të vazhdoj të punoj deri në vitin 2018”, paska thënë Mustafa.
Kjo është dëshmia më e mirë se pushteti në Kosovë nuk merret për të qeverisur në shërbim të publikut e të shtetit, por në shërbim të grupeve të bashkuara (të armiqësuara skajshmërisht) të nëntokës se kriminalizuar. Se po të ishte interesi i publikut, kjo kastë politike (e kriminalizuar) do ta analizonte mirë e mirë gjithë të bërat e të pa bërat e këtij koalicioni të ngritur mbi pikëpamjet e despotizmit aziatik, të një periudhe më shumë se njëvjeçare. Dhe të gjitha analizat, do të duhej të të çonin (gjithnjë po flasim për gjendje e njerëz normal/e), ne një qeverisje teknike e pastaj në zgjedhjet e parakohshme.
Pse do të duhej të ndodhte kjo?

1. Që nga formimi i këtij koalicioni të pa natyrshëm, qytetarët e kanë pritur me një mosbesim të një shkalle të lartë. Mbi 100.000 qytetarë të zhgënjyer, të humbur shprese e besimi se do të ndodhë ndryshime, ikën nga Kosova e lirë, për të cilën kishin sakrifikuar shumë.

2. Në çdo segment të jetës, politik, ekonomik e zhvillimor, institucional, arsimor e shëndetësor, jo vetëm që vazhdoj, por edhe u thellua përkeqësimi.

3. Qeveria i vazhdoi dhe i thelloi marrëveshjet e këqija me Serbinë, kulmi u arrit me marrëveshjet e 25 gushtit 2015. Si me “Zajednicen” si dhe me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

4. Për një sesion (sesionin vjeshtor), e bënë jo funksional institucionin më të lartë të shtetit, Kuvendin e Republikës së Kosovës.

5. E shtynë opozitën e bashkuar që me veprime jo demokratike t’i kundërshtojnë veprimet jo kushtetuese të Qeverisë së Kosovës. Të cilën gjë e verifikoj edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e saj të fundvitit 2015.

6. Kundër marrëveshjeve me peticion u deklaruan mbi 200.000 qytetarë te Republikës dhe qytetarët nuk shqetësohen?!

7. Ndërsa, qeveritarët e dhanë urdhrin nga salla e improvizuar e Kuvendit për t’i burgosur kundërshtarët politik, që kësaj radhe ishin deputetet e Kuvendit të Kosovës.

8. Më 9 janar 2016, në rrugët e Prishtinës protestuan mbi 50.000 qytetarë, ndërsa qeveria nuk e prish tymin e duhanit?!

Këto fakte, që secili mund t’i konfirmoj dhe kujtoj secili nga ne, do të duheshin ta shtynin qeverinë për të menduar seriozisht dhe për të ndryshuar mënyrën e komunikimit me opozitën dhe qytetarët e Kosovës.

Por, qeveria po e luan rolin e të shurdhëtit e të verbrit që nuk dëgjon e as shikon asgjë.

Kjo mënyrë e qeverisjes nuk ka lidhje me përgjegjësinë e demokracinë. Motër e kësaj mënyre të qeverisjes, është vetëm Despotizmit të egër mesjetar!

Nuk ka asnjë dyshim se kjo formë e qeverisjes, kërkon edhe veprimin adekuat qytetarë për të risjellë demokracinë në jetën politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button