Qytetarët mbështesin skeçin “Plani strategjik” të Stupcave

Në sondazhin e Koha.net, që ka zgjatur nga e enjtja deri me sot, “Si e mendoni skeçin ”Plani strategjik” të Stupcave për profiterët e luftës nga radhët e UÇK-së?”, gati 90 për qind e votuesve e kanë quajtur të qëlluar.

Skeçi i Stupcave “Plani Strategjik”, që thumbonte ata individë të cilët veprën e tyre patriotike, një borxh të çdo qytetari që ta dojë dhe ta mbrojë vendin e popullin e vet, pas luftës e shpërdoruan në forma të ndryshme, shkaktoi një valë pakënaqësie në radhët e pjesëmarrësve të luftës së UÇK-së, duke e konsideruar si fyese përgjithësimin dhe njollosje të sakrificës së tyre.

Por, sipas sondazhit, kështu nuk mendojnë shumica e qytetarëve.

Në sondazhin tonë me pyetjen “Si e mendoni skeçin ”Plani strategjik” të Stupcave për profiterët e luftës nga radhët e UÇK-së?” morën pjesë 21 225 veta. Nga ta, 19 025 respondentë e mbështetën skeçin e Stupcave, ose 89.6 për qind e tyre, ndërsa e konsideruan të paqëlluar këtë skeç vetëm 1650 veta, ose 7.8 për qind e pjesëmarrësve në votim.

Nëse ishte skeç i qëlluar apo i paqëlluar nuk kishin përgjigje vetëm 550 votues, ose 2.6 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre, një shifër e papërfillshme.

Rezultatet e sondazheve tona, pavarësisht se nuk pasqyrojnë disponimin qytetar në përputhje me kriteret e standardet shkencore të anketimeve, ato megjithatë janë tregues i një gjendjeje që duhet të merret parasysh nga ata që u referohen.

 

Sondazhi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button