Gjenden në det tre shqiptarë pas katër ditësh

Tre shtetas shqiptarë, 33, 56 dhe 23 vjeç, u shpëtuan nga rojet bregdetare pas katër ditësh në Kanalin e Otrantos.

Ata u gjeten rreth shtatëdhjetë milje larg brigjeve italiane dhe u dalluan nga një helikopter që po patrullonte zonën. Me sa bëjnë të ditur autoritetet vendase, gomonia që ata sapo kishin blerë, kishte pësuar avari në motorin e vetëm dhe ishte e pasiguruar, transmeton TCH.

Kushtet e detit kur ata kishin dalë nga porti i San Foca kanë qenë të mira, por sipas parashikimeve brenda pak kohe do të përkeqësohej. Tani autoritetet italiane po hetojnë mbi arsyet e udhëtimit dhe kanë marrë në pyetje tre personat. Ata janë kuruar fillimisht në spital sepse kanë qenë të dehidratuar dhe të rraskapitur pas katër ditësh në det të hapur.

Rojet bregdetare dhe njësitë detare i kërkuan gjatë, pasi pala shqiptare dha alarmin për zhdukjen e tyre. Fillimisht kërkimi qe pa rezultat sepse nuk kishte asnjë pikë referimi dhe zona e vezhgimit qe tepër e gjerë. Më pas, gomonia u arrit të dallohet megjithë errësirën nga një helikopter i rojeve financiare i pajisur me sensorë të veçantë.

Lajme të ngjashme

Back to top button