ANALIZË: Ekonomia përmes numrave – standardi, papunësia, investimet!

Për tre vite numri i familje të varfra katëranëtarëshe është rritur për 10.000 më shumë. Varfëria në nivel shtetëror ka shënuar rënie, por edhe më tej një nga katër qytetarë nuk mund t’i plotësoje nevojat themelore për jetesë. Nga ana tjetër, qeveria publikoi se papunësia ka shënuar nivelin më të ulët deri më tani në historinë e vendit, e që vetëm me projektin “Maqedonia punëson” janë punësuar 11.000 njerëz. Si dukej viti ekonomik 2015 shikuar përmes prizmës së numrave?

STANDARDI: 51,1% e familjeve me nga katër anëtarë – në varfëri!

U zvogëlua numri i personave të varfër, por u thellua varfëria tek familjet mesatare me nga katër anëtarë. Në nivel shtetëror shkalla e varfërisë është 22,1%, por shikuar më hollë një nga katër qytetarë nuk mund t’i plotësojë nevojat themelore për jetesë.  Sipas të dhënave të fundit të hulumtimit të indikatorëve Laeken, 51,1% e familjeve me nga dy anëtarë të rritur dhe dy anëtarë të mitur jetojnë në pragun e varfërisë, por ajo që është alarmante është se numri i këtij lloji familjesh të varfra krahasuar vitin 2013 është rritur për 2%.

Analiza e të dhënave që u realizua nga “Portalb” tregon se vetëm për tre vite numri i familjeve të varfra është shtuar për 10.000. Ja si ka lëvizur kjo tendencë e varfërimit nga viti 2012:

Viti 2012        141 120 familje

Viti 2013        147 578 familje

Viti 2014        151 043 familje

Me këtë shkallë të varfërisë nga një anë, dhe me tendencën e rritjes së ekonomisë nga ana tjetër, Maqedonia vazhdon të mbetet në grupin e ekonomive më të varfra qytetarët e të cilës kanë vetëm 36% të standardit evropian.

PAPUNËSIA: 25,5% – Normë më e ulët në historinë e vendit.

Në vitin që lamë pas në Maqedoni është matur shkalla më e ulët e papunësisë në historinë e vendit, gjegjësisht, në fund të tremujorit  të tretë të vitit 2015 papunësia ka rënë në 25,5%. Një dekadë më parë, shkalla e papunësisë ishte 30,9%.  Nëse ngushtohet shtrirja e periudhës së analizuar për pesë vite numri i personave të papunë është zvogëluar për  52 100, ndërsa në periudhën e njëjtë numri i të punësuarve është rritur për 51 800 persona. Sipas Qeverisë tendenca e rritjes së numrit të punësimeve është rezultat i politikave ekonomike aktuale. Një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se gjendja varet nga më shumë faktorë, mes të cilëve edhe “legalizimi” i një pjese të punësimeve në të zezë, por edhe largimi jashtë vendit i popullatës të aftë për punë. Në vend ka gjithsej 711.380 persona të punësuar, nga të cilët 555.554 bëjnë pjesë në sektorin privat, ndërsa 155.826 bëjnë pjesë në “sektor tjetër” në të cilin dominon sektori shtetëror. Krahasuar me gjendjen në fund të vitit 2014, është shënuar një rritje e numrit të punësuarve për pak më shumë se 15.000. Hulumtuesi ekonomik Branimir  Jovanoviq pak kohë më parë vlerësoi se rritja e punësimeve të cilën e regjistroi Enti shtetëror i statistikës nuk shpjegohet me punësime “të reja”, por me kalimin e punëtorëve tashmë të angazhuar nga ekonomia joformale në formale.

“Shpjegimi im është se kjo rritje është si rezultat i kalimit të punësimit nga joformal në formal, dmth. i zvogëlimit të punësimit në të zezë. Tashmë dihet mirë që numri më i madh i punësimeve në të zezë bëhen në sektorin e tregtisë. Personat të cilët deri më tani nuk kanë qenë të paraqitur, tani paguajnë kontribute. Kjo është në pajtim me një punim timin në të cilin argumentoj se një nga arsyet kryesore për zvogëlimin e papunësisë gjatë qeverisjes së kësaj garniture është pikërisht kalimi nga punësimi joformal në formal”, thotë Jovanoviq.

Nga ana tjetër, Qeveria nuk ndaloi promovimin e masave të ndryshme të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë i tangojnë të papunësuarit. Sipas informacioneve qeveritare, vetëm përmes projektit “Maqedonia punëson” janë punësuar pothuajse 11.000 persona, gjegjësisht mundësitë të cilat i ofron shteti i kanë shfrytëzuar  6.600 kompani. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është që të punësohen 150.000 persona.

INVESTIMESaldo prej 116 milion euronumri i investimeve në rënie?

Të dhënat e fundit me të cilat disponojnë institucionet kompetente nuk tregojnë optimizëm për vitin investues 2015. Deri në fund të tetorit saldo e përgjithshme e investimeve të huaja të drejtpërdrejta ka qenë 116 milion euro dhe krahasuar me vitin e kaluar në periudhën e njëjtë, ka shënuar një rënie prej 38 milion euro.  Sipas matjeve të Bankës Botërore, në tremujorin e tretë vlera e investimeve të huaja ka qenë vetëm  0,2% e PBB-së, që paraqet vlerën më të ulët të regjistruar gjatë vitit. Këto tregues janë fituar në një vit kur Qeveria vazhdoi me road show-t e famshme dhe promovimin  Maqedonisë si një destinacion atraktiv për investim. Megjithatë, përderisa promovoheshin investitorë të huaj të ri, një pjesë e biznesmenëve vendor nuk hoqën dorë nga vërejtjet se futja e investitorëve të huaj mbështetet në një mënyrë jotransparente me para nga buxheti.

“Çdo investim i huaj është i mirëpritur në vendin tonë, sepse përveç se që sjellin kapital, ato me vete bartin edhe njohuri dhe teknologji që kanë shumë rëndësi për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. Kuptohet që një vend demokratik të funksionojë elementi më i rëndësishëm është transparenca, e cila në këtë rast mungon sepse Qeveria një gjë promovon, e tjetër gjë bën. Edhe pa këto  masa “diskrecioni” sektori privat vendor diskriminohet me numrin e madh të lehtësimeve që bëhen për investitorët e huaj, por kjo gjendje me subvencionim të kompanive të huaja vazhdon“, deklaroi pak më parë për “Portalb“ kryetari i Odës ekonomike, Nebi Hoxha.

Saldo më e lartë e investimeve të huaja, pothuajse 507 milion euro është matur në vitin 2007, kur investimet arritën 8,3% PBB. Që atëherë ky nivel po shënon një rënie të vazhdueshme. Kështu, në vitin 2009 dhe vitin 2010 sillet rreth 2% e PBB. Një rritje e vogël është shënuar në vitin 2011 kur ka arrirë në 4,6% të PBB, e pastaj përsëri shënon rënie në vitin 2012 në 117,3 milion euro, ose  1,5% e PBB. Në dy vitet e ardhshme, 2013 dhe 2014 investimet sillen rreth 3,3% të PBB.

Këtë vit, sipas projektive buxhetore, pritet një rritje ekonomike prej 4%.

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button