Jabollçishtë i Epërm, vendi ku me fanatizëm ruhen traditat e lashta (VIDEO)

Fshati Jabollçishtë i Epërm është vendi ku ruhen: tradita e mikpritjes, bashkëpunimit, humanizmit; veshjet tradicionale e protokoli i dasmave; fjalë nga gjuha e lashtë ilire dhe mentaliteti i krijuar ndër shekuj.

“Mikpritjen që ato e kanë, pak kush që e ka. Respektohen sidomos hoxha dhe mësuesi, si mbretër. Aty kam punuar 1,5 vjet por kam aq nostalgji sa që po të më jepej rasti sërish do të punoja atje. Pra vetëm për shkak se janë të ndershëm e të kulturuar.”– tha për Portalb Shaip Memeti, ish-arsimtar i Edukatës fizike dhe shëndetësore në sh.f. ‘Liria’(banor i Komunës së Likovës).

“Jabollçishta është problematikë në vete dhe rast eklatant në trevat tona”- deklaroi Jusuf Zimeri, imam i xhamisë së fshatit Jabollçishtë për periudhën shtator 2002- prill 2004, “Banorët e Jabollçishtës mbi të gjitha me fanatizëm kanë ruajtur traditën e veshjes tradicionale me theks të veçantë te gjinia femrore. Kanë ruajtur traditën e dasmave dhe fejesave si dhe veshjet e veçanta gajtë dasmave sidomos të nuseve të reja; Pastaj kanë ruajtur edhe traditën e mikpritjes dhe nderit që i bëhet mysafirëve në këtë vend. Traditën e dhënies bukë, çdo udhëtari apo mysafiri, i cili ka kaluar nëpër ato troje; Kanë ruajtur traditën e bashkëpunimit, respektivisht ndihmesës mes veti në të gjitha punët, sidomos gjatë ndërtimit të shtëpive dhe objekteve tjera; Kanë ruajtur traditën e humanizmit. Edhe pse ky popull është një popull mjaftë me skamje, sa herë që ka kërkuar nevoja janë solidarizuar me vendet tjera, si shembull: ndihmat që i kanë mbledhur në vitin 2001 për vendet e prekuara nga konflikti, për Kosovën etj.

“Deri në vitin 1991 në shkollën periferike të Jabollçishtës është mësuar vetëm në gjuhën maqedone dhe marrë parasysh politikën moniste sllavo-maqedone, që ka tentuar ti maqedonizoj ata, në mesin e tyre përdoren shumë fjalë sllave, kryesisht maqedone. Në vitin 1991 pas disa protestave të dhunshme dhe me pasoja nga banorët e fshatit, shkollimi u bë në gjuhën shqipe. Vlen të theksohet se mësuesit e parë në këtë shkollë ishin pikërisht kumanovarët e prej tyre ka ende që japin mësim atje. Në fjalorin e tyre të përditshëm gjejmë edhe fjalë të vjetra të gjuhës shqipe, të cilat rrallë ose aspak nuk njihen në mesin tonë.”-shtoi Zimeri (banor i Komunës së Likovës).

Shenasi Fazliu, banor i fshatit Jabollçishtë u shpreh: “Veshja dhe gjuha janë dy cilësitë që më së shumti e karakterizojnë vendin tonë e të cilat janë ruajtur me shekuj. Pra veshja e vajzave dhe nuseve është e dalluar, por është e ngjajshme me atë të Rekës së Gostivarit. Këtë veshje e bëjnë me dorë. Nëpër dasma ka një ditë të caktuar, që njihet si ‘Dita e grave’ e në ketë ditë pos nuses vishen edhe vajzat me kësi lloj veshjesh, por kanë disa karakteristika të imëta që i dallon nga ato të nuses (shiko dasmën e improvizuar në videon e mëposhtme); Dialekti i përket atij geg, por është i veçantë. Sa i përket neologjizmave në gjuhën tonë janë shumë të rralla, ndoshta nuk ka aspak. Ekzistojnë edhe fjalë të vjetra ilire, që ruhen edhe sot si psh: oborri-kurti, mur-ledh, djep-kalepk etj.”

Sipas tij, disa dasma bëhen nga dita e hënë deri të premten, si formë më e vjetër dhe disa të tjera të shtunen dhe të dielën, formë kjo që filloi të praktikohet gjatë kohës së fundit.Gjatë tyre këndohen këngë të veçanta.

I pyetur nëse femrat janë të diskriminuara Fazliu, i cili njëherit është arsimtar zëvendësues në shkollën e fshatit u përgjigj: “Jo aspak, më herët ndoshta ka qenë kjo veti negative ashtu si në të gjithë popullin shqiptar, por tani është zhdukur.”

Sipas tij, falë mentalitetit ndër-shekullor dhe traditës islame-shqiptare, femrat (nën 40 vjeçare) shëtisin lirshëm nëpër lagjen e tyre, por në lagjet tjera dhe ato më të frekuentuara ecin të shoqëruara nga bashkëshorti ose anëtar tjetër i familjes. Janë të rralla rastet kur femrat pas shkollimit fillor e vazhdojnë shkollimin e mesëm dhe atë të lartë. Kjo për shkak të kushteve të vështira ekonomike si dhe faktit se vetëm në vitin 2008/09 në Veles u hap Gjimnaz në gjuhën shqipe.  Para vitit 2008 të rrallë ishin edhe meshkujt që vazhdonin shkollimin, porse tani thuajse shumica e vazhdojnë.
Ndryshe, sipas Fazliut, Jabollçishti i Epërm është fshat malor, afër malit Jakupica. Ka afër 2300 banorë, të gjithë shqiptarë. Fshati ka shkollën fillore (të quajtur ‘Liria’), shitore, kafene, postë dhe ambulancë. Rrugët janë asfaltuar dhe rrallë bllokohen gjatë dimrit, sepse komuna ka angazhuar pastrues. Jabollçishti i Epërm, Jabollçishti i Poshtëm dhe Vranovci janë tre fshatra me popullsi shqiptare, që i takojnë Komunës së Çashkës. Në Vranovc ka një numër të vogël banorësh, që janë shpërngulur nga Kosova, ashtuqë aty kanë tradita të ndryshme./Portalb.mk

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button