Uollers: Mos u ktheni në histori, shikoni përpara!

Ambasadori amerikan Poll Uollers, me porosi të qarta drejtuar autoriteteve të vendit por edhe qytetarëve.

“Krenohuni me trashëgiminë tuaj, por mos u identifikoni me historinë dhe të kaluarën”, theksoi ai. Uollers tha se vendi mund të prosperojë vetëm përmes një të ardhmeje të bazuar në vlerat e përbashkëta vizionare.

“Ne u bashkuam rreth parimeve dhe vlerave sikurse liria e shprehjes, toleranca ndaj dallimeve etnike dhe kulturore, barazia dhe drejtësia ndaj të gjithëve, prosperiteti dhe mundësia e barabartë e punësimit për të gjithë.. dhe asnjë nga këto vlera nuk do të ndryshojnë historinë apo identitetin tuaj si individë apo si grup, nuk paraqesin kërcënim për identitetin tuaj. Pavarësisht nëse keni prejardhje maqedonase, shqiptare, turke, serbe apo rome, çfarë do që të jeni, mund të jeni krenarë me atë që jeni, të jeni krenarë për paraardhësit tuaj, trashëgiminë tuaj, ashtu sikur edhe ne amerikanët krenohemi me të kaluarën tonë. Por ju nuk mund të përcaktoni veten, të identifikoheni në bazë të historisë, sepse nëse identifikoheni në bazë të historisë  dhe të kaluarës asnjëherë nuk do të ecni përpara nuk do të keni të ardhme, apo do të keni një të ardhme të përçarë” theksoi Poll Uollers, Ambasador i SHBA-së.

Uollers porositi edhe qytetarët që të jenë të përgjegjshëm drejt liderëve që votojnë. Në vend të liderëve që shqetësohen vetëm për një votë dhe interesat e tyre personale dhe partiake, madje duke keqpërdorur në këtë synim të tyre çështjet etnike dhe kulturore, të zgjedhin liderë që kanë vizion drejt të një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë.

“Është e vërtetë se çdo kund në botë paraqiten politikanë të cilët i shfrytëzojnë temat etnike dhe kulturore për përfitimet e tyre politike. Ndoshta në këtë mënyrë në një periudhë afatshkurtër fitojnë shumë vota por në një periudhë afatgjatë, kjo qasje i shkakton dëm të madh shtetit dhe shoqërisë. Në rast se qytetarët nuk i përgjigjen këtyre politikave atëherë ndoshta politikanët do të ndalojnë të shfrytëzojnë këto taktika. Nëse ka politikanë që e shihni se mundohen ta mbajnë shtetin të bashkuar atëherë votoni, nëse e shikoni dikë që e bën të kundërtën atëherë mos i votoni. Pra varet nga ju se a do t’i votoni apo jo”, porositi Poll Uollers, Ambasador i SHBA-së.

Ambasadori amerikan gjithashtu porositi të rinjtë që të ardhmes t’i qasen me një vizion të qartë dhe vendosmëri për t’i arritur qëllimet. Këto komente Uollers i bëri në një ligjërata përpara studentëve të Universitetit Fon.

Lajme të ngjashme

Back to top button