Prokuroria kërkon kufizimin e gjykatësve që nuk japin dënimin sipas ligjit

Në qytete të ndryshme të Maqedonisë, për vepër të njëjtë penale dhe rrethana të njëjta, të akuzuarit marrin dënime shumë të ndryshme, duke i bërë kështu të pabarabartë para ligjit. Trajtimi jo i njëjtë dhe shqiptimi i masës së dënimit jo i merituar për të njëjtën vepër penale nga ana e gjykatësve, ka shtyrë Prokurorinë Publike që të kërkojë një formule të vetme për përcaktimin e dënimeve gjyqësore, duke ngushtuar kështu hapësirën e vlerësimit të gjykatësve.

Sipas analizave të prokurorisë, deri tani gjykatësit kanë shqiptuar dënime shumë më të vogla se maksimumi i parashikuar me ligj. Madje sipas tyre për shumicën e veprave të rënda penale, mesatarja e dënimeve është pak më e lartë se dënimi minimal i parashikuar me Kodin Penal. 

“Për vepër të njëjtë penale nga i njëjti akuzuar, të gjykuar në dy gjykata të ndryshme, në Gostivar merr 1 vjet burg, ndërsa për veprën e njëjtë, në rrethana të njëjta, në Shkup merr 3-4 vite burg, që do të thotë se në Shkup dhe Manastir jepen dënime 3-4 herë më të rrepta se sa Gostivar dhe Shtip”, deklaroi Mirjana Ivanovska Bojaxhieva, ish gjykatëse. 
“Kjo do të sjell dënime objektive, drejtësi më të madhe gjatë caktimit të dënimeve, qytetarët do të jenë të pabarabartë para ligjit, pavarësisht ku e kanë kryer veprën penale, dhe ku gjykohen për këtë vepër penale. Me siguri do të ketë dënime pak më të rrepta”, u shpreh Zoran Ilievski, prokuror publik.

Formula e përgatitur nga prokurorët parashikon një tabelë e cila do të përcaktojë lartësinë e dënimit duke u bazuar në kufirin ligjor dhe rrethanat lehtësuese ose vështirësuese të të akuzuarit. Kjo formulë ende është në fazë të idesë në shqyrtim publik, ndërsa nuk ka ndonjë sqarim nëse do të konkretizohet në propozim ligj apo do të miratohet në cilësinë e ndonjë akti nënligjor.

Lajme të ngjashme

Back to top button