Maqedoni, ende nuk janë “pjekur” kushtet për zgjedhje, a do të mbahen?

Mosrespektimi i afateve kohore të Marrëveshjes së Përzhinos ka vënë në pikëpyetje edhe datën e 24 prillit, për kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare. Sipas analistëve, në rast se zgjedhjet mbahen në këtë datë, kur mundësitë për t’u pastruar listat zgjedhore dhe zgjidhja e çështjes së mediave janë të pamundshme atëherë kriza politike edhe më tej do të thellohet.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se nëse nuk mund të krijohet një teren për zgjedhje pa manipulime atëherë humbet logjika e mbajtjes së tyre.

“Në atë rast, në vend të daljes nga kriza do të kemi thellim të krizës. Pa pastrim të listave, pa rregullim të sferës mediale, pa departizim të institucioneve së paku në këto muajt që pasojnë dhe pa zbatim të ligjeve ndaj çdo shkelje të procedurave demokratike nuk mund të presim zgjedhje për dalje nga kriza, por një cirk që do të na fusë në një krizë edhe më të rrezikshme se kjo”, u shpreh për Portalb Neziri.

Në një linjë të mendimit është edhe Xhabir Deralla nga OJQ Civil, organizatë kjo që vëzhgon proceset zgjedhore.

“Nuk ka kushte për zgjedhje fer dhe demokratike në prill të këtij viti. Theksohet presion i madh politik ndaj administratës në përgjithësi. Përveç pastrimit të listave vetë KSHZ duhet të përforcohet dhe t’i marr punët në duar, në mënyrë që të krijoj kredibilitet në procesin zgjedhor, që do të thotë të bëhet pronare e procesit zgjedhor. Gjithashtu janë të nevojshme riorganizime të Komisioneve komunale, këshilltarëve në vendet e zgjedhjeve, edukim të qytetarëve, etj,etj, …”, theksoi për Portalb Deralla.

Ndryshe, i gjithë opinioni është fokusuar në vizitën e eurokomisarit Johane Han në Shkup, kur pritet edhe të finalizohet çështja e datës së zgjedhjeve. Sot zëdhënësja e eurokomisarit për negociata dhe zgjerim Johanes Han, Maja Kocijançiq, konfirmoi se Han do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë nga mesi i këtij muaji./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button