Takimet e njëpasnjëshme, Rama bisedë 60 minuta me Nishanin për reformën në drejtësi

Kryeministri Rama ka përfunduar takimin me Presidentin Nishani, ku mendohet se u diskutua për reformën në drejtësi. Kryeministri zhvilloi një bisedë me Nishanin në Presidencë për më shumë se 60 minuta, ndërkohë që para takimit me kreun e shtetit ishte takuar me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Takimet e njëpasnjëshme të krerëve më të latrë të shtetit vijnë pas bojkotit të ekspertëve të opozitës në tryezën e bisedimeve për reformën në drejtësi. Opozita kërkon që ndryshimet mos miratohen me 3/5 e votave, por me konsensus. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim është e mendimit që debati në këtë fazë të jetë politik. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka deklaruar se Shqipëria nuk është vend ekspertësh dhe është momenti për bisedime në nivel politik. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga kreu i grupit të PS Gramoz Ruçi, i cili ka thënë se politika nuk duhet të përzihet në këtë fazë.

Nisur dhe nga kjo situatë, ditën e djeshme, ambasadori i SHBA Donald Lu zhvilloi një bisedë me kryeparlamentarin Meta plot 3 orë në Kryesinë e Kuvendit. Takimit iu bashkua më vonë edhe ministri Ylli Manjani. Në një intervistë të para disa ditëve për ‘Birn’, Lu deklaroi se ka marrë porosi direkte nga Shtëpia e Bardhë për reformën në drejtësi në Shqipëri.

Aktualisht, ekspertët e qeverisë kanë mbyllur draftin pa pjesëmarrjen e opozitës, ku parashikohet edhe ndërprerja e mandatit të kryeprokurorit Llalla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button