“Ditari i Ana Frankut” del online, nisin polemikat

Teksti i plotë i “Ditarit të Ana Frankut”, tash është online. Çdokush mund ta lexojë ose ta shkarkojë falas.

“Ditari i Ana Frankut” është shkruar nga vajza hebreje me të njëjtin emër në harkun kohor 1942-1944, para se të dërgohej në kampin e shfarosjes në Bergen-Belsen, ku vdiq në vitin 1945.

Libri i publikuar në vitin 1947 nga Otto Frank, babai i saj, i cili thuhet se i ka hequr disa pjesë dorëshkrimit, është prej kohësh temë debati mbi të drejtat e autorit.

Në bazë të ligjeve, e drejta e autorit (copyright) humbet 70 vjet pas vdekjes së autorit. Në rastin e Anës, e drejta e autorit ka skaduar në 1 janar 2016.

Një profesor francez, Olivier Ertzscheid, dhe një deputete franceze, Isabelle Attard, kanë publikuar versionin e plotë online, në gjuhën origjinale. Debatet për të drejtën e autorit. Ky publikim ka sjellë edhe nisjen e polemikave.

“Anne Frank Fonds”, fondacioni i themeluar nga Otto Frank në Basilea, në vitin 1963, muajt e fundit lëshoi një deklaratë përmes së cilës njoftonte se duke nisur nga 1 janari 2016, libri do të kishte bashkautor babanë e Anës (deri më sot kurator i ditarit).

Pikërisht këtu nis mosmarrëveshja, sepse Otto Frank ka vdekur në vitin 1980. Pra, 70 vjet pas vdekjes së tij, i bie viti 2050.

Sipas faqes së fondacionit, legjislacioni evropian parashikon se për veprat e publikuara pas vdekjes, e drejta e autorit skadon 50 vjet pas publikimit të parë. Dhe nëse “Ditari” u shtyp për herë të parë në vitin 1947, versioni i parë i plotë i dorëshkrimit të Anës erdhi në vitin 1980. Në këtë mënyrë, e drejta e autorit skadon në vitin 2030.

Por, fakt është që libri gjendet tashmë online dhe me shumë gjasa do të ketë një proces gjyqësor në lidhje me këtë çështje. “Ditari i Ana Frankut” është shitur në 30 milionë kopje në të gjithë botën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button