(Pa)perspektiva e të rinjëve në Maqedoni!

Dëshira e ikjes së të rinjëve nga Maqedonia është e vjetër, por viteve të fundit duket se ka marë përmasa shqetësuese. Kjo sepse, në dallim nga e shkuara, kur në kurbet shkonin kryesisht njerëzit e pashkolluar, aktualisht këtë e bëjnë sa herë që u jepet mundësia edhe kuadro me shkollim universitar. Për Portalb ata më së shpeshti përmendin shkaqet e lidhura për paperspektiven, mungesën e vendeve të punës, krizën e madhe ekonomike e cila e ka përfshirë vendin dhe pagat tejet të ulëta që mezi e kapërcejnë nivelin e ndihmave sociale.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vetëm në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian aktualisht jetojnë më shumë se 200.000 qytetarë nga Maqedonia, që bashkë me numrin e pjesës tjetër të Evropës dhe vendeve përtejoqeanike përfshinë gati një të katërtën e popullatës së vendit.

Maqedonia  është në vendin e 23 në botë me numrin e emigrantëve (447.000 qytetarë të Maqedonisë).

“Sipas statistikave më së shumti shpërngulen elektroinformaticientët dhe mjekët. Disa të dhëna flasin se aktualisht në Itali jetojnë 78.000 qytetarë të vendit tonë, në Gjermani – 85.000, në Austri – 16.000, në Slloveni – 9.500… Brenda një dekade, numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë që janë pajisur me shtetësi të huaj është 56.506”. thuhet në raport.

“Jam larguar për në Itali pasi mbarova shkollën e mesme, sepse në Maqedoni nuk ka të ardhme të sigurt. Me standardin e tanishëm, me një rrogë mesatare mund vetëm të sigurosh dy-tre vakte ushqim dhe asgjë më tepër”. thotë për Portalb, i riu Nimetulla Sherifi.

Avdi Beqiri, që gjithashtu pret mundësinë e ikjes në perëndim, thotë: “Në perëndim është më mirë se këtu. Atje mund të gjesh një vend të sigurt pune dhe të sigurosh standard më të lartë jetese. Unë ende nuk e kam mbaruar shkollën e mesme, por nëse më vinë një shans i mirë për të ikur nga Maqedonia, nuk do ta lëshoj atë”.

“Jashtë për të njëjtën punë paguhesh dhe vlerësohesh më shumë, ka kushte më të mira jetese, ndërsa këtu ku jetojmë ne ato kushte mund vetëm t’i ëndërrojmë. Po të më jepej mundësia do të dilja jashtë vendit për të grumbulluar të holla me të cilat një ditë këtu mund të investoja në ndonjë biznes. Më shumë motivohem për të ikur nga ky vend kur i shoh familjarët që jetojnë jashtë”, tha Sani Rexhepi jurist i diplomuar.

Ndërkaq Agron Sulejmani, i cili 20 vjet punon në Norvegji, për Portalb thotë:
“Po të kishte perspektivë në Maqedoni nuk do të jetoja kaq gjatë këtu. Si para 20 viteve edhe tani kur vij nuk shoh se është përmirësuar jetesa. Po e njëjta varfëri, po i njëjti standard. Mendoj se jam me fat që kam ikur me kohë nga ai vend”.

Ndryshe, Portalb para disa ditësh nga Agjencioni për punësim në Tetovë mori të dhëna statistikore, ku vetëm në Tetovë  në mënyrë të rregullt kërkojnë punë 13.277 persona.

LEXO: Me doktoratura, magjistratura dhe fakultet, të rinjtë e Tetovës mbeten rrugës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button