Buxheti familjar në Maqedoni, ekspertët: Shtresa e mesme në zhdukje!

Në emisionin “Click Plus” të TV 21 u diskutua rreth buxhetit familjar dhe kushteve ekonomike në Maqedoni. Afërdita Haxhijaha Imeri, eksperte për çështje sociale, tha se në Maqedoni nuk kemi shtresë të mesme, ndërsa analisti Visar Ademi u shpreh se 99% e popullatës jeton në varfëri të skajshme.

“Ne shumë pak, ose pothuajse aspak nuk kemi qytetarë të shtresës së mesme. Është bërë një shtresim i qytetarëve në Maqedoni. Fatkeqësisht, kemi shumicën e popullatës e cila është e vobektë ose ekonomikisht e shkyçur, ndërsa kemi edhe një shtresë ekskluzive të privilegjuar të cilët janë të pasur ose shumë të pasur. Ato shumë pak që janë të klasës së mesme, janë qytetarë të cilët punojnë në administratë publike”, tha Haxhijaha.

“Në qoftë se në nivel global, 5% e pasanikëve e menaxhojnë kapitalin e 95%  të tjerëve në Maqedoni, ky numër është shumë më i vogël. Distribuimi i resurseve publike është 1% të popullsisë ndërsa 99% jetojnë ose në varfëri të skajshme, ose një lloj varfërie të mesme”, theksoi Visar Ademi.

Drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike veriperëndimore Fatmir Bytyqi kritikoi politikën në Maqedoni, e cila sipas tij nuk krijon kushte të mira për investitorët.

“Politika qeveritare në periudhën e kaluar por edhe në vitet në vazhdim nuk ndryshon gjë; krijon varfëri me arsyen se promovojnë vend, i cili ka fuqi të lirë punëtore para investitorëve të huaj, që  janë të prirur të vijnë të thithin subvencione, të cilët në fund ne i paguajmë dhe janë të prirur të paguajnë minimumin e pagave, të cilën shteti i ka garantuar, prandaj ne themi se kjo është politika që krijon varfëri”, theksoi Bytyqi.

Por, përfaqësuesi i bankës NLB, Genc Mulladauti tha se ka edhe gjëra pozitive, pasi sipas tij, një pjesë e popullatës kanë të ardhura stabile në xhepat e tyre.

“Ka edhe disa sende që janë pozitive në Maqedoni, në aspekt se kalojmë në shoqëri që harxhojmë pak më shumë se sa kemi harxhuar para 5 ose 10 vjetëve. Shumicën e të rinjve i shohim nëpër rrugë me celularë më të shtrenjtë se sa rroga mesatare. Kemi vetura në qarkullim më shumë se para 10 vjetëve. Krejt këto apetite të rritura mbërrihen me një standard që kanë njëfarë të ardhure stabile në familjet e tyre”, tha Genc Molladauti.

Sipas statistikave, 969 mijë e 904 qytetarë të Maqedonisë janë me kredi, ndërsa sipas Mulladautit, kërkesa për kredi vazhdon të rritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button