Qeveria maqedonase premton punësim, opozita skeptike

Qeveria e Maqedonisë paralajmëron masa të reja për nxitjen e punësimit, para se gjithash në trajnimin e të rinjve që me vite presin punë në agjencinë e punësimit. Kryeministri Nikolla Gruevski beson se ky projekt do ketë efekte pozitive në konkurrimin e të papunëve në bizneset, që, sipas tij, po hapen gjithnjë e më shumë në vend, njofton REL.

Përmes agjencisë së punësimit, vitin e kaluar janë ndërmarrë 28 masa trajnimi, duke përshirë rreth 14 mijë persona pjesëmarrës, prej të cilëve rreth 9 mijë kanë marrë oferta punësimi. Nga qeveria thonë se politikat ekonomike tashmë po japin efekte në zhvillimin ekonomik dhe në luftimin e papunësisë, e cila, sipas ekzekutivit, ka zbritur në nivelin prej 25 për qind nga mbi 35 për qind sa ishte viteve të kaluara.

 “Ky do të jetë edhe një kontribut në drejtim të zvogëlimit të papunësisë, përkatësisht rritjes së punësimit. Përmes masave të ndryshme të qeverisë, për shumë njerëz që për momentin nuk janë të punësuar, kjo do të jetë një mundësi shtesë për trajnimin e tyre dhe hapjen e perspektivave për punësim në ndonjë nga bizneset që po hapen çdo ditë në vend”, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski. 

Ai është shprehur i kënaqur nga politikat e qeverisë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës. Gruevski tha se për këtë projekt nga buxheti i shtetit janë siguruar 11.5 milion euro.

Por, masat e tilla të qeverisë janë vlerësuar si populiste nga ana e opozitës, gjithashtu edhe shifrat e prezantuara mbi shkallën e papunësisë në vend. Lidhja Social-demokrate vlerëson se pretendimet e tilla janë joreale dhe nuk e pasqyrojnë gjendjen sa i përket papunësisë në vend.

“Numri i të papunëve në Maqedoni është shumë më i lartë, por qeverisë nuk i konvenon që këtë të bëj publike. Ajo tani po e shfrytëzon metodologjinë e Entit shtetëror të punësimit, i cili vepron në bazë të parimit se në rast se dikush ka punuar qoftë edhe dy orë brenda një jave, llogaritet si i punësuar, gjë që është absurde. Kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të ulet në mënyrë artificiale numri i të papunëve të vend”, thotë Marjanço Nikollov, drejtues i komisionit të ekonomisë pranë LSDM-së.

Edhe ekspertët shprehen skeptik sa i përket masave të ndërmarra nga qeveria, por edhe të të dhënave mbi papunësinë në vend. Sllobodan Najdovski, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se Enti i Statistikës zbaton edhe një metodologji tjetër, atë të shlyerjes nga evidenca e të papunëve, si dhe të gjithë personave që me kohë nuk kryejnë procedurat e regjistrimit, apo të paraqitjes në afatet e caktuara.

Ai gjithashtu përmend edhe faktin tjetër të shpërnguljes së shumë personave jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës. Në këtë drejtim, sipas tij, nuk kemi të bëjmë me politika efikase të qeverisë, por me ulje artificiale të numrit të papunëve në vend.

“Vlerësoj se gjithnjë e më i vogël është numri i atyre që besojnë se mund të gjejnë punë përmes agjencisë së punësimit, andaj ata edhe nuk paraqiten apo heqin dorë nga ky institucion. Këtu ndikon edhe fakti tjetër se gjithnjë e më shumë po rritet numri i atyre që për shpërngulen nga Maqedonia, dhe kjo pa dyshim se reflektohet edhe në shkallën e papunësisë”, thotë Najdovski.

Pavarësisht këtyre vlerësimeve, qeveria insiston në parashikimet për uljen e papunësisë deri në 22 për qind. Numri i popullsisë së aftë për punë në Maqedoni vlerësohet të jetë rreth 960 mijë persona, prej të cilëve, rreth 250 mijë, apo 25 për qind, janë të papunë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button