Ku mbeti opozita shqiptare?

Përderisa partia më e madhe maqedonase në opozitë, Lidhja Socialdemokrate ka dalë në terren duke promovuar programin e tyre të ri dhe duke organizuar aktivitete të ndryshme të cilat mbase na bëjnë me dije se në pranverë do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare, opozita shqiptare me sa duket reagon vetëm nga Parlamenti.

Opozita shqiptare thotë se është mjaftë kritike ndaj ngjarjeve të fundit në vend, por fajëson mediat për mos mbulimin e aktiviteteve të tyre. PDSH thotë se punon në terren por nuk gjen mbështetje në media ndërsa RDK thotë se ata reagojnë nga Parlamenti duke bërë, sipas tyre “tërheqje taktike”.

PDSH thotë se mediat nuk u kushtojnë rëndësi aktiviteteve të tyre.
“Ne jemi mjaft aktiv dhe punojmë në teren. Ne jemi të parët që kritikojmë në Parlament. Po ashtu kemi edhe aktivitete të shumta me forumet rinore, me forumin e grave dhe takime të shumta me qytetarët, por është puna se ne nuk gjejmë mbështetje në media dhe ato nuk na kushtojnë rëndësi”, tha për Portalb, Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Kurse nga partia opozitare RDK, thonë se tërheqja e tyre është taktike.
“Ne kemi bë një tërheqje taktike, por në Parlament ne jemi prezent dhe aktiv. LSDM-së i nevojitej një rikthim i fuqishëm prandaj i kushton vëmendje kaq të madhe prezencës në media. Ne komunikojmë me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale si dhe jemi duke e analizuar çështjen e buxhetit, e cila është një problem i rëndësishëm për shqiptarët. Ne disa herë kemi treguar gabimet dhe defektet në Parlament dhe si parti politike mendoj se jemi duke e kryer misionin ashtu si duhet”, tha për Portalb, Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së.

Analisti politik, Albert Musliu, këtë qetësi opozitare e vlerëson si të pa nevojshme dhe të dëmshme.
“Partitë shqiptare në opozitë kanë problem me mbulimin e mediave, kjo është e vërtetë por megjithatë nuk është e nevojshme dhe e kuptueshme kjo qetësi e tyre. Po ashtu ato tregojnë mos interesim për zgjedhjet presidenciale dhe si zakonisht kyçen shumë vonë. Mendoj dhe vlerësoj se përveç në Parlament, zëri i opozitës duhet të dëgjohet edhe jashtë tij. Ne kemi nevojë për një opozitë korrigjuese dhe jo për një opozitë të heshtur”, tha për Portalb, Musliu /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button