Ku mbetën punimet për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës?

Përkundër faktit se themelet e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës janë hapur në nëntor të vitit 2014, punimet rreth ndërtimit të këtij objekti janë akoma në fazën fillestare.

Sipas përgjegjësve, punët rreth ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, nuk janë duke ecur me tempon e duhur. Ato janë ndërprerë disa herë gjatë 14 muajve të shkuar. Portalb ishte në vendin e ngjarjes për të parë nga afër deri ku kanë arritur punimet e nisura, por, përveç themeleve të mbuluara me borë dhe makinerisë ndërtimore, nuk kishte asgjë tjetër brenda hapësirës ku pritet të ngritet objekti.

Themelet ku pritët të ndërtohet Teatri dhe Biblioteka e Tetovës
Themelet ku pritët të ndërtohet Teatri dhe Biblioteka e Tetovës

Lidhur me mbarëvajtjen e punimeve më poshtë keni deklaratat e Drejtorit të Qendrës për Kulturë, Haki Fazliut.

Fillimisht, më 24.11.2014 për Portalb, Fazliu tha: “Është e vërtetë se ka pas zhagitje, por, jo aq sa e mendon opinioni, në këtë fazë ka pas zhagitje shkaku se janë kryer punët përgatitore që kanë të bëjnë kryesisht me çështje administrative përfshi këtu edhe anën teknike të realizimit të projektit”.

Dy muaj pas gurthemelit kishte probleme me fillimin e punimeve, probleme këto që sipas Fazliut vinin nga kompanija “EVN”.

Më 20.01.2015 për mosnisjen e punimeve Fazliu tha:  “Punimet duhej të kishin nisur prej kohësh, por këtë herë faji nuk është te ne, por te pengesat që po hasim për të dislokuar centralin e EVN-së.  Është një objekt i vjetër, por edhe me shumë kabllo që shtrihen nën tokë dhe askush nuk mund ta bëjë përveç EVN-së”.

Ndërsa me 05.01.2016, ende pa filluar si duhet ndërtimi, drejtori Fazliu mohon se ka zhagitje. “Nuk ka zhagitje, janë bërë punime nëntokësore, kanë ngelur vetëm kioskat për të cilat ka vendim qeverie për t’u prishur dhe vendim nga inspektorati komunal”. Për vazhdimin e punëve Fazliu thotë:  “Pas festave besoj se do të  fillojnë të prishen kioskat dhe të fillojmë me punë ashtu si duhet”.

Ndryshe, gurthemeli i këtij projekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014 . Komplet projekti arrin shumën e 13 milion eurove, ndërsa finalizimi pritet të realizohet në vitin 2017. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button