Qeveria e re, 135 milionë dollarë për zonën e Jugut

Deputeti i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, si një nga iniciatorët e takimit ku u prezantua programi i investimeve kapitale të bregdetit të Jugut, vlerësoi punën e bërë për të garantuar zhvillimin e gjithë zonës bregdetare.

I dashur kryeministër i Shqipërisë dëshirojmë t’u falënderojmë nga zemra për pjesëmarrjen në këtë konferencë, në një periudhë që ne e dimë shumë mirë, aq të ngarkuar për ju. Dhe kjo është shprehje e kujdesit shumë të lartë të qeverisë sonë dhe të kryeministrit për zhvillimin e zonës së rretheve të Sarandës, Delvinës dhe Himarës dhe për aktivizimin e të gjitha potencialeve të tyre për një ekonomi më të mirë dhe për një jetë më cilësore të banorëve të kësaj zone.

Sot këtu kemi ministren Englantina Gjermeni, ministrin Bledi Çuçi, kemi deputetët Valentina Leskaj e Fatmir Toçi kemi prefektin Besnik Dervishi, zëvendës- prefektët e Sarandës dhe Delvinës dhe dëshiroj t’i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre dhe për mbështetjen që i japin punës sonë.

Ne kemi në këtë sallë sot këtu shumë miq dhe të ftuar, kryetarë komunash, figura të mençura dhe të moçme të fshatrave dhe qyteteve tona, intelektualë të zotë, njerëz me ndikim dhe më këtë rast dëshiroj gjithashtu ti falënderoj për pjesëmarrjen e tyre. Në ndërtimin dhe në hartimin e këtij programi kanë marrë pjesë më shumë se 45 ekspertë të cilët kanë punuar më shumë se katër muaj në këtë program investimesh kapitale në zonën e jugut i cili u parapri nga një diskutim i gjerë në fushatën elektorale të 23 qershorit. Kanë marrë pjesë 35 ekspertë dhe specialistë të komunave dhe bashkive, 10 ekspertë dhe specialistë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ekspertët e komunave dhe bashkive dhe drejtuesit e tyre, veçanërisht specialistët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, specialistët e angazhuar në këtë projekt dhe drejtorin Benet Beci që e bëri këtë punë me shumë përkushtim e pasion. Në këtë program janë përfshirë 123 projekte me vlerë afërsisht 127 milionë dollarë. Sigurisht na ka shpëtuar dhe ndonjë gjë. Do duhet të ishte në këtë program rruga e Navaricës ashtu siç duhet të ishin rruga e Çorajt dhe e Fterras por këto mund të përfshihen në versionin final të projektit. Vetëm komuna e Vergosë nuk ka mundur të bashkëpunojë me këtë program.

Ndoshta ka akoma ditë që dhe ky nonsens të rregullohet. Mes nesh është bërë familjar emri i shkurtuar për këtë program që quhet PIKU. PIKU përfshin 126 projekte, 50 % e të cilave janë projekte teknike të gatshme për financim e zbatim ndërsa 50 % e pjesës tjetër kërkojnë që të rishikohen dhe përmirësohen në standarde të tilla që t’u paraqiten donatorëve të ndryshëm ndërkombëtarë për financim.

Për përmirësimin e këtij 50 % të projekteve nevojiten 2 milionë dollarë. Kështu për 126 projektet e PIKUt gjithsej nevojiten 135 milionë dollarë, 133 milionë për zbatimin dhe 2 për të bërë rishikimin dhe përmirësimin e projekteve. PIKU ka një rëndësi të veçantë për të përmirësuar infrastrukturën e investimeve kapitale në jugun e Shqipërisë dhe për të rritur si ekonominë e kësaj zone ashtu dhe cilësinë e jetës në të.

Në programin e qeverisë sonë zhvillimi i kësaj zone përbën prioritet të veçantë. Objektivat e kësaj konference për ne janë tri: së pari ne duam që kjo konferencë të ndihmojë që ky program të përfshihet në prioritetet e qeverisë shqiptare.

Së dyti ne dëshirojmë që kjo konferencë të ndihmojë gjetjen e financimit prej 2 milionë dollarësh për të bërë rishikimin dhe përmirësimin e gjithë projekteve teknike që të gjitha projektet të jenë të gatshme për tu aplikuar. Së treti duam që kjo konferencë të ndihmojë në financimin e 126 projekteve të programit PIKU, gjithsej 133 milionë dollarë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button