Festë me llogari të bllokuara

Kaloi festa. Kësaj radhe me pak petarda dhe lëndë të tjera plasëse. Besoj se edhe mjekët e ndihmës së shpejtë kanë pasur më pak punë. Natyrisht edhe komuna e Çairit… Nuk më duket se kanë derdhur mund t’i stolisin rrugët me drita… Ndoshta lagjet tona e kanë të shkruar terrin si fat.

Ditët e fundit të vitit e shfrytëzuan mirë politikanët. Por jo, vetëm ata. Edhe pushteti tatimor ishte aktiv. Derisa politikanët ndërroheshin nëpër ekrane duke na bindur se do të na befasojnë me “projekte e projekte”, Drejtoria e tatimeve publike ishte pragmatike. Ajo u bashkua me RTVM-në doktrinën filozofike utilitariste të pragmatizmit, e cila e pranon si të vërtetë atë punë që i përgjigjet veprimit të suksesshëm dhe që është i dobishëm, pra asaj teorie filozofike veprimin dhe parimet e së cilës duhet t’i gjykojmë sipas rezultateve praktike. T’i biem shkurt: çifti DTP dhe RTVM shumë qytetarëve ua bllokoi llogaritë për shkak se nuk e paskan paguar taksën radiotelevizive, pra atë program televiziv të cilin rrallëkush e shikon. Ligji për veprimtari radiodifuzive, neni 72, paragrafi 3, thotë se amvisëria familjare (çfarë termi?!) si shfrytëzues, pavarësisht nga numri i aparateve të radios dhe televizionit që i posedon, paguan një taksë radiodifuzive. Mirëpo… Këtu çifti DTP – RTVM ka bërë një marifet, sa mos t’i themi dredhi. Në vend se fletëpagesën t’ia dërgojë një anëtari të familjes (që zakonisht është babai i familjes si bartës i të drejtës pronësor, çifti “magjik” u çon fletëpagesa të gjithë anëtarëve. Dhe, nëse nëpër letra të njoftimit ka ndonjë gabim teknik te njëri, atëherë paguajnë të dy anëtarët e familjes, ose më drejt u grabiten të hollat dy ose tre anëtarëve të familjes në emër të taksës për radiodifuzion. Nuk i intereson çiftit “magjik” asgjë. Duhet pastaj të vrapohet derë më derë nëpër zyra të administratës që të zgjidhet ky lëmsh. Por, edhe po të kompletohet dokumentacioni i cili do të dëshmojë se fjala është për gabim teknik, askush nuk e di a mund t’i kthejë paratë të cilat DTP-ja t’i grabit dhunshëm. Një zot e di se nga e ka nxjerr DTP-ja këtë të drejtë që të veprojë kësisoj. Që të jetë ironia më e madhe DTP-ja (me bankën komerciale) këtë dhunë nis ta aplikojë ditët e fundit të vitit 2014. Pra, ato ditë kur mblidhen familjet dhe festojnë ndërrimin e moteve. Kuptohet, kësaj radhe kanë mbetur të festojnë me bukë e kripë.

Nëse gjyqet nuk funksionojnë, atëherë funksionon vetëm DTP-ja heshtazi. Kjo burokraci e ushtron për mrekulli pragmatizmin. Fatkeqësisht vështirë gjenden institucionet të cilat veprojnë kështu rrufeshëm si DTP-ja me RTVM-në. Interesant Ligji për radiodifuzion nuk e parasheh ndonjë masë për televizionin “publik” për shkak se me vite i mban dyert të mbyllura për të gjithë ata që i konsideron si opozitarë, pa marrë parasysh a janë apo nuk janë. Televizioni vetë vendos se kush është opozitar, DTP-ja i mbledh paratë, kurse gjyqet që duhet ta bëjnë këtë punë rrinë duarkryq. Vërtetë kush është kjo DTP-ja që të bëhet xhandar i këtij soli?

Ndërkaq edhe kësaj radhe heshtja ishte metodë pune e faktorit politik shqiptar. Besoj se atyre s’ka kush ua bllokon llogaritë. Madje as DTP-ja.

Kështu ndodhi në këtë festë. Ta shohim se me çfarë “do ta gëzojnë” popullin në festat tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button