Debat i ri për mbajtjen e shamisë në Gjermani?

Mësuese me shami – edhe në shkollat gjermane. Kjo është dëshira e shoqatës së sapo themeluar të grave myslimane. Qëllimi: lufta për të drejtat e grave myslimane. Por jo të gjithë janë të entuziazmuar.

Derya ?ahan ka shumë plane: ajo dëshiron që gratë myslimane të marrin më shumë përgjegjësi në shoqërinë gjermane, të duken dhe zëri i tyre të dëgjohet më shumë. “Për të gjitha temat që kanë të bëjnë me shoqërinë, individin, familjen dhe bashkëjetesën, gratë myslimane duhet të perceptohen si persona kontaktues”, kërkon ?ahan.

Derya ?ahan është kryetare e shoqatës së parë federale të grave myslimane në Gjermani. Kjo shoqatë e re është pjesë e D?T?B-it, Bashkimit turko-islamik për Çështje Fetare. Ka ardhur koha, thotë ?ahan, për të luftuar për të drejtat e grave myslimane.

Anëtare të Shoqatës së Grave Myslimane në Gjermani

Shoqata Federale për gratë myslimane është themeluar në fillim të dhjetorit. Ndërsa vet D?T?B në Gjermani vepron prej tri dekadash. Sipas të dhënave të saj DITIB është organizata e migrantëve me anëtarësinë më të madhe në vend, me rreth 900 shoqata e xhami. Anëtarët janë me origjinë turke, numri i tyre është vlerësuar në mbi 200.000. Detyrat e D?T?B kryesisht kanë të bëjnë me kryerjen e shërbimeve fetare për besimtarët, por edhe punën sociale me të rinjtë apo femrat. Është e pakontestueshme që organizata është shumë e afërt me shtetin turk.

Por prania më e madhe e grave myslimane në shoqërinë gjermane nuk është dëshira e vetme e Derya ?ahan. Ajo dëshiron më shumë. Qëllimi i saj: ringjallja e debatit për mbajtjen e shamisë në Gjermani. “Ne duam të themi fjalën tonë. Ne duam të gjendet një zgjidhje për mësueset myslimane që mbajnë shami koke”.

Me ligj kundër shamive

Debati rreth shamisë nuk është i ri në Gjermani. Pas padisë së një edukatorje të re në landin e Baden-Württembergut, e cila nuk u lejua të punojë si mësuese për shkak të mbulimit të kokës me shami, me këtë temë është marrë në vitin 2003 edhe Gjykata Kushtetuese. Gjyqtarët në Karlsruhe kishin pranuar më pas në vendimin e tyre se mësuesja nuk duhet të pengohet që të japë mësim me shami të kokës pasi për këtë nuk do të kishte bazë ligjore. Shumë lande pastaj këtë vendim e morën si shkas për të miratuar ligje të reja. Në tetë nga 16 landet gjermane u miratuan të ashtuquajturat ligjet e neutralitetit. Ato ndalojnë përdorimin e simboleve fetare nëpër shkolla.

Pedagogia Yasemin Karakasoglu shpreh bindjen e saj të thellë se ka qenë një gabim i madh që menjëherë pas marrjes së vendimit në Gjykatën Kushtetuese është filluar me nisma legjislative. Në atë kohë, ajo ka përgatitur një ekspertizë për Gjykatën Kushtetuese. Tema: “Besimtaria dhe arsyet për mbajtjen e shamive në mesin e grave të reja myslimane në Gjermani.” Ajo thotë se gjyqtarët kanë theksuar edhe atëherë nevojën për një diskutim shoqëror. Për fat të keq, ky diskutim nuk ka ndodhur asnjëherë. “Shumë shpejt u ndërmorrën nisma legjislative shpesh të pamenduara mirë.” Këto ligje janë formuluar në mënyra të ndryshme dhe shkaktojnë konfuzion. “Ata nuk kanë ndihmuar as për sqarimin e fakteve, e as për të rritur ndërgjegjësimin në mesin e popullatës”, thotë Karakasoglu.

Shamia si një simbol politik

Pavarësisht sfondit juridik, shamia e kokës është edhe një temë e diskutueshme edhe në mesin e shoqërisë. Ndërkohë që gratë të cilat bartin shaminë e konsiderojnë atë si pjesë të identitetit të tyre kulturor dhe fetar, duke u thirrur me këtë rast në lirinë e fesë, kritikët e shohin atë si një simbol fetar-politik. Lale Akgün, ish deputete e Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe politikane që merret me temën e migrimit mendon se këtu nuk debatohet për bartjen private të shamisë. “Është njëjtë si në Turqi. Qëllimi është që shamia e kokës të bëhet e dukshme në universitete, në administratë, në politikë,” thotë Akgun. Ajo është e bindur se “në këtë pikë shoqëria gjermane është shumë e ndjeshme.”

Para pak kohësh në Turqi, me inisiativën e qeverisë konservatore të drejtuar nga partia AKP e kryeministrit Erdogan është hequr ndalimi i shamisë së kokës në sektorin e shërbimeve publike. Në fuqi kanë mbetur vetëm disa përjashtime: oficeret e policisë, gjykatëset, prokuroret dhe ushtaret nuk lejohen edhe më tej të bartin shami.

Lale Akgun akuzon D?T?B-in se është duke vepruar si dorë e zgjatur e qeverisë turke. “D?T?B nuk është asgjë tjetër përveçse Diyanet (Zyra shtetërore për çështje fetare në Turqi), ndërsa Diyanet nuk është asgjë tjetër përveçse AKP”, thotë ajo. Vendimet mirren në Ankara dhe vetëm zbatohen në Gjermani. Sipas Akgun, D?T?B me formimin e shoqatës së grave është duke u përpjekur që idetë konservatore të AKP-së t’i përhapë edhe në Gjermani. Ajo personalisht është kundër. “Edhe unë jam një grua myslimane”, thotë Akgun. Në vend të kësaj, politika gjermane duhet të forcojë myslimanët liberalë.

Lajme të ngjashme

Back to top button