Maqedoni, zgjedhjet do ta shtrydhin ekonominë

Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36 % e mesatares evropiane. Prodhimi bruto për kokë banori, sipas metodës shpenzuese, është 3.198 euro, që është një nga më të ulëtat në rajon dhe në Evropë. Përmirësim i kësaj gjendje nuk pritet as gjatë vitit 2016, i cili do të kalojë nën hijen e zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re, njofton Koha.

Viti që po lëmë pas filloi dhe u mbyll me krizën politike, e cila në masë të madhe ndikoi drejtpërsëdrejti në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë. Se qytetarët e Maqedonisë kanë pasur vështirësi të rënda ekonomike për të mbijetuar vitin që e lëmë pas, këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të Entit Statistikor të Maqedonisë, ku thuhet se deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti 815 mijë qytetarë kanë pasur vështirësi të mëdha në pagimin e kësteve të kredive, qirave, faturave komunale, energjetike dhe ujit. Trishtuese janë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, të cilat përfundimisht me muajin nëntor të këtij viti tregojnë se saldoja negative në llogaritë rrjedhëse të qytetarëve është mbi 96 milionë euro si rezultat i tejkalimit të shumës së rrogës në xhiro-llogari, gjegjësisht futja në borxh në bankat komerciale për një apo dy rroga. Se standardi jetësor në Maqedoni gjatë vitit 2015 ka qenë në nivel shumë të ulët, këtë e ka konstatuar Banka Botërore në raportin e saj të fundit për varfëri, ku thuhet se në Maqedoni 13 për qind e qytetarëve jetojnë me nga 1 dollar në ditë dhe 40 për qind jetojnë më 1.5 dollarë në ditë, apo mbi 800 mijë qytetarë jetojnë në varfëri të skajshme duke e radhitur kështu Maqedoninë si shteti më i varfër në rajon.

Një vit ku politika do konsumojë ekonominë

“Fatkeqësisht jam pak pesimist, edhe atë për një arsye shumë të thjeshtë. Ne kemi zgjedhjet parlamentare në fund të prillit, deri atë kohë besoj që katër muajt e parë të vitit Qeveria dhe politika në përgjithësi më shumë do të fokusohet në debatet politike se sa në realizim të projekteve konkrete ekonomike. Pastaj, me siguri do kemi shtyrje të afateve deri në maksimum për formimin e Qeverisë dhe nëse kjo do ndodhë para qershorit të vitit 2016, atëherë qeveria e re efikase mund të pritet të jetë pas pushimeve verore, gjë që realisht nuk besoj se do kenë kapacitet për 3-4 muajt të ndryshojnë gjë. Fatkeqësisht, pa investime kapitale në projekte produktive nuk besoj se do na vijnë ditë më të mira”, thotë Arben Halili, ekspert ekonomik. Edhe përkundër asaj se edhe këtë vit dhe vitin e kaluar kishte rritje ekonomike, standardi i qytetarëve shumë ngadalë përmirësohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button