Komuna e Kumanovës, përmbylli vitin me projekte të parealizuara

Është bërë zakon që në Maqedoni, në nivel lokal, të votohen buxhetet, të dalin politikanët me premtime duke rrahur gjoks për “projektet e mëdha”. Por, ky veprim në fundvit kurorëzohet me të pabëra. Tani këto premtime deklarative në pamundësi që të realizohen brenda afatit prolongohen dhe barten nga buxheti i vitit të kaluar në buxhetin e vitit që vjen. Portalb ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Kumanovës Zoran Damjanovski dhe me këshilltarin Ridvan Asani nga radhët e BDI-së, për vijimin e projekteve në nivel lokal dhe (pa)mundësinë e realizimit të tyre.

Damjanovski: Pushteti qendror vështirëson realizimin e projekteve

I pyetur nëse është realizuar projekti zhvillimor i Komunës së Kumanovës për vitin e kaluar, Zoran Damjanovski numri një i Komunës me përgjigje: “Programi zhvillimor për vitin 2015 nuk është realizuar në tërësi nga arsyet e qarta që politika fiskale në RM-së para së gjithash është shumë e vështirë për nivelin lokal, ashtu që komunat kanë kapacitet shumë të dobët fiskal dhe nëse nuk je në marrëdhënie të mira me pushtetin qendror projektet zhvillimore shumë vështirë realizohen”.

Sipas tij, viti 2015 ishte një nga vitet më të kqija që nga pavarësimi i Maqedonisë në të gjitha sferat, si në planin e sigurisë, planin ekonomik, krizën politike, krizën e emigrantëve.

“Shpresoj që viti 2016 do të sjellë diell të ri në demokracinë e RM-së, të tejkalohet kriza politike dhe të kemi shoqëri demokratike të lirë; të ndërtojmë ardhmëri për rininë tonë, për njerëzit tanë të cilët duhet të jetojnë dhe të krijojnë në këtë shtet prosperitet ekonomik,” deklaroi për Portalb Damjanovski.

Ai nuk ngurron dhe me optimizëm jep premtime të reja. Damjanovski thotë se Programi zhvillimor i Komunës se Kumanovës për vitin 2016 do të jetë një kampus i shumë aktiviteteve. “Do të hapim objekte të reja infrastrukturore, kemi projekt me IPA fondet për rrjet kanalizimi mbi 26km, me Bankën Botërore kemi investim rreth 2,5 -3 milionë denar për përfundimin e pishinës së hapur dhe të mbyllur, rekonstruimin e disa shkollave,” përfundon Damjanovski.

Ndryshe, Portalb zbardh disa projekte që kanë qenë të premtuara, madje edhe të votuara në buxhetin e Komunës, por që nuk janë realizuar edhe pse, shprehur me fjalorin e politikanëve, “po punohet- projektet janë në vijim e sipër“.

Nuk është realizuar rinovimi i Parkut të qytetit, nuk është bërë zgjerimi i çerdhes që gjendet përballë stadiumit të qytetit me vlerë prej 100 mijë eurove dhe projekti që u cilësua si më kapitali salla e shkollës në fshatin Çerkez që arrin vlerën prej 700 mijë eurove.

Siç mësojmë nga burime tona brenda komunës, projekti i Parkut të Qytetit dhe Çerdhja për fëmijë janë bartur edhe në buxhetin për vitin 2016.

Ridvan Asani: Po punohet në realizimin e projekteve të parapara me buxhet

“Rinovimi i Parkut të qytetit ka filluar, është kryer faza e parë, tani ka filluar faza e dytë. Në përfundim është tenderi për ndriçim. Kemi marr edhe pëlqim prej Ministrisë së financave për pjesën e karrikave dhe shportave për të parku. Shpresojmë deri në pranverë të kryhet ky projekt”, sqaron për Portalb Asani.

Ai thotë se është kryer procedura e lejes së çerdhes, tani është hy në procedurë elektronike marrja e lejes dhe pritet që këto ditë të shpallet tenderi.

Ndërsa sa i përket projektit tjetër, Ridvan Asani, rrëfen se salla e sportit në fshatin Çerkez është projekt i Komunës por edhe i Qeverisë.

“Duke i pasur parasysh mundësitë financiare të Komunës dhe bllokadat nga ana e Qeverisë ka ngecur projekti. Për momentin po merremi me lejen e ndërtimit, shpresojmë që në vitin 2016 të zbatohet ky projekt por në kuadër të Qeverisë dhe jo të Komunës. Mjetet që kanë qenë të parapara nga Komuna për sallën në fshatin Çerkez, planifikojmë t’i përfshijmë në planin zhvillimor. Do t’i shfrytëzojmë për shkollat fillore ku mësojnë nxënësit shqiptarë e që kanë nevojë emergjente”, tha Asani./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button