Evakuohet Presidenca e BeH

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komishiq, dhe anëtari i saj bosnjak Bakir Izetbegoviq sa kanë hyrë sot në zyrat e tyre i kanë braktisur ato sipas rekomandimit të Drejtoratit për koordinimin e institucioneve policore, raportojnë mediet nga ky vend.
Ndërtesën e Presidencës në kryeqytetin e vendit, Sarajevë, e kanë braktisur edhe të gjithë të punësuarit e tjerë para se rreth objektit të mblidheshin protestuesit.
Është evakuuar edhe kryetari i Federatës së BeH Zhivko Budimir, ndërsa anëtari serb i Presidencës së BeH, Nebojsha Radmanoviq, nuk është dukur fare në punë, transmeton Koha.net
Në Bosnjë e Hercegovinë tash disa ditë ka nisur një valë protestash të qytetarëve, të pakënaqur me nivelin e jetesës dhe sjelljet e elitave politike. Për pasojë janë thyer e kallur objekte institucionesh, ndërsa kanë dhënë dorëheqje katër kryeministra kantonesh dhe shefi i policisë në Mostar.
Protesta në kryeqytet kanë paralajmëruar grupe joformale me kërkesën për dorëheqjen e Qeverisë së Federatës së BeH.