Ja pse nxënësit në Maqedoni ende nuk mund ta përdorin Abetaren e përbashkët

Përderisa nxënësi ballafaqohen me mungesën e madhe të teksteve shkollore dhe me gabimet që gjenden në tekstet aktuale, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, ende nuk ka një program të definuar sa i përket lidhjes së marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë.

Tani më katër vite ka skaduar marrëveshja e cila u lidh në vitin 2007 dhe pati kohëzgjatje prej tre viteve, që atëherë nga MASH thonë se janë në përgatitje të një draft programe, e cila si duket ende nuk është gati.

Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski bën të ditur se marrëveshje në fushën e arsimit me Shqipërinë ka pasur që nga vitit 2001.

“Që nga viti  2001 kemi pasur marrëveshje në fushën e arsimit me shtetin fqinj, Shqipërinë. Marrëveshja e parë skadoi në 2007 ku menjëherë u bë një tjetër me kohëzgjatje prej 3 viteve. Tani jemi duke përgatitur për të krijuar në draft program dhe se shpejti pritet të lidhet sërish një marrëveshje me të cilën do të kemi bashkëpunim ashtu si më herët”, tha për Portalb, Galevski.

Sipas kryetarit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta, lidhja e kësaj marrëveshje do të ishte zgjidhja për problemet me tekstet shkollore.

“Nëse kjo marrëveshje bëhet atëherë do të vjen fundi i problemeve të vazhdueshme me tekstet shkollore. Atëherë ne do të mundemi të përdorim literaturën dhe librat shkollor që ka Shqipëria dhe anasjelltas”, tha Dardhishta.

Ai shtoi se në këtë rast do të mund të përdornin dhe Abetaren e njëjtë me Shqipërinë.

“Kjo do të thotë  se në bazë të bashkëpunimit mes dy shteteve ne do të mund të përdorim edhe Abetaren shqiptare, temë kjo që u trajtua mjaft, dhe libër mjaft i nevojshëm dhe i domosdoshëm për neve”, theksoi Dardhishta.

Ndërkaq jemi dëshmitarë se viteve të fundit kishte gabime të shumta dhe skandaloze në librat e gjeografisë, shoqërisë, historisë dhe muzikës. Fyerje dhe pasaktësi kundrejt shqiptarëve. Disa herë në publik është reaguar, por arriti të tërhiqet vetëm libri i Shoqërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button