Greqi, terroristët kërcënojnë qytetarët

Agjencia e lajmeve greke “Zougla.gr” ka marrë një pako me përmbajtje të rrezikshme nga një oraganizatë terroriste FAI/IRF. Pakoja, e cila kishte një shishe me pije freskuese 500ml dhe një video që zgjat rreth 2.5 minuta ka mbërritur të hënën pasdite në zyrat e redaksisë. 

Në video organizata kërcënon dy kompani të mëdha shumëkombëshe të prodhimit të këtyre pijeve, të cilat fitojnë shuma marramendëse në kurriz të popullit. Mësohet se shishja e pijes freskuese ishte e mbushur me acid klorhidrik.

Sipas policisë greke, lënda helmuese është e aftë të shkaktojë vdekjen e kujtdo që do t’i konsumojë këto pije. Por, në mesazh sqarohej se kjo lëndë nuk kishte për qëllim të helmonte askënd, por pakoja ishte një kërcënim për qeverinë greke dhe kompanitë shumëkombëshe. Organizata paralajmëron se ka futur helmin në disa shishe pijesh, të cilat do të vendosen në supermarketet e Athinës dhe Selanikut. 

Terroristët thonë se shishet e infektuara nuk mund të identifikohen, sepse helmi nuk ua ndryshon ngjyrën produkteve. Antiterrori ka marrë në dorë hetimin e këtij sulmi, që është i pari i këtij lloji në Greqi./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button