Vendet e Ballkanit, pritet të përfshihen nga trazirat

Maqedonia është një nga vendet që në vitin 2014 mund të përfshihet nga trazira sociale dhe protesta masive.

Prestigjiozja britanike “The Economist” shkruan në një analizë të saj se arsyet që mund të nxjerrin njerëzit në rrugë janë papunësia, tensionet etnike, pabarazia sociale dhe rënia e të ardhurave.

Maqedonia bën pjesë në grupin 56 vendeve me rrezik të lartë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe  Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania, transmeton gazeta Shekulli.

Ndërkaq, Greqia dhe Bosnjë Hercegovina cilësohen si vende me rrezik shumë më të lartë, sipas revistës së njohur britanike “The Economist”.  

Laza Kekiç nga Njësia e Inteligjencës e “The Economist”, thotë se rënia e të ardhurave dhe papunësia e lartë nuk kanë sjellë gjithnjë protesta. Por kur problemet ekonomike shoqërohen me elementë të tjerë, rreziku për destabilitet është i lartë. Këto elemente qeveria e dobët, pabarazia sociale, niveli i ulet i shërbimit social apo tensionet etnike. Theksohet se veçanërisht erozioni i besimit tek qeveritë dhe institucionet, pra një krizë e demokracisë, janë shkaqet kryesore që po shkaktojnë trazira kohët e fundit.

Njësia e inteligjencës ka matur rrezikun e trazirave sociale në 150 vende, duke i ndarë në 5 kategori. Ato me rrezik tepër të lartë, me rrezik të lartë, të mesëm, të ulet dhe shumë të ulët.

Teksa nënvizon se fatet e ish –presidentit egjiptian Muhamet Morsi dhe të kryemistrit tunizian Ali Larajed janë pika referimi, “The Economist” ngre pyetjen se kush do të jenë udhëheqësit që do të paguajnë për politikat dhe qëndrimet e tyre? Pra ku do të shpërthejnë protestat vitin e ardhshëm?

Në krahasim me pesë vjet më parë, 19 vende më shumë janë shtuar në kategorinë e rrezikut të lartë, nga Lindja e Mesme, në Afrikën e Veriut, Europa Jugore dhe Ballkani, si rajone veçanërisht të ndjeshme.

Këto parashikime nuk janë të pagabueshme, -vëren “The Economist”. Por revista shpjegon se Tajlanda ishte identifikuar si vend me nivel të mesëm të rrezikut për protesta dhe ditët e fundit protestuesit rrethuan shtëpinë e kryeministrit, pas demonstratave që shpërthyen në nëntor vetëm se Dhoma e Ulët e Parlamentit kaloi një projekt –ligj të debatueshëm për amnistinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button