Kuvend, miratohet Ligji për themelimin e Universitetit “Nëna Tereza”

Kuvendi Republikan miratoi Ligjin për themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup.

Në kuadër të Universitetit “Nëna Terezë” do të funksionojnë pesë fakultete me 14 programe studimore, përkatësisht: Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Informatike, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, njofton RTVM2.

“Parashihet që Universiteti të fillojë me punë në vitin akademik 2016/2017. Me miratimin e Ligjit dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit, MASH deri te Qeveria do të propozojë Komisionin amë ose komisionet amë për çdo njësi, të cilët do të jenë kompetentë për përgatitjen e punimeve dhe do të udhëheqin me këtë institucion deri në momentin e konstituimit të organeve dhe zgjedhjes së organeve udhëheqëse, në fakt të senatit dhe të rektorit të këtij universiteti”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, tha se përderisa me këtë Ligj propozohet hapja e një universiteti të ri, me propozim-ligjin për USHT-në po ndërpriten shtatë programe studimore në këtë të fundit.

Zbatimi i Ligjit për themelimin Universitetit “Nëna Tereza” ka implikacione financiare, përkatësisht nga buxheti për vitin 2016 parashihet të ndahen 29.5 milionë denarë, para nga buxheti, ndërsa nga buxheti për vitin 2017 do të ndahen 113 milionë denarë.

Universiteti do të ketë selinë në ish Kazermën “Ilinden”.

Ndërkaq, me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës ndërpritet realizimi i programeve studimore për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri qarkullimi dhe transporti, gjeodezi dhe gjeoinformatikë, si dhe inxhinieri ekonomike deri në vitin akademik 2019/2020.

Studentët të cilët janë regjistruar në këto programe studimi dhe nuk do ta përmbyllin ciklin studimor deri në vitin 2019, studimet do të mund t’i vazhdojnë në Universitetin “Nëna Tereza”, ose në ndonjë universitet tjetër.

Ndryshimet parashohin edhe formimin e një njësie të re në përbërjen e USHT-së, përkatësisht hapjen e Fakultetit Pedagogjik si dhe ndryshimin e emrit të Universitetit nga USHT në UT.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button