Roja e cilësisë interpretuese

7 vjet e 7 ditë POST-FESTUM aktivitetit që u zhvillua në kuadër të festivalit të muzikës kamertale “MULTI KULTI”, me 18 dhjetor 2008, në shkollën e mesme të muzikës në Tetovë, ku u shfaq duo-ja Badivuku – Kastratoviq.

Dy artiste në një lidhje të natyrshme

Në vazhdimësinë e aktiviteteve kulturore që begatojnë dhe afirmojnë vlerat artistike, ky fundvit po shënon ngjarje që ngacmojnë ndërgjegjen tonë artistike. Në mbrëmjen e së hënës, në lokalet e Shkollës së mesme të muzikës në Tetovë, ishte ambasadorja e muzikës së mirëfilltë, violinistja e afirmuar dhe me vlera të mëdha, Sihana Badivuku, e shoqëruar nga pianistja Maja Kastratoviq.

Kishin ardhur në Tetovë për t’u prezantuar para adhuruesve të muzikës klasike me një program të larmishëm artistik dhe stilistik.

Filluan me sonatën për violinë dhe piano nr. 2 op. 121 të Robert Shumanit, melodia e së cilës përmban mundësi të mëdha për shprehjen e ndjenjave lirike. E pandarë nga gjuha melodike, gjuha harmonike e Shumanit krijon një “gamë“ të pasur nuancash. Harmonia paraqitet e pasur, e thyer nga kthesat e papritura dhe tingujt disonantë. Sihana nuk e ka aspak të vështirë që këto momente muzikore t’i reflektojë përmes katër telave të violinës. Kjo grua e mësuar, e mençur dhe e kulturuar, ka derdhur tërë energjinë e saj për të luajtur në mënyrën më origjinale temat dhe idetë e këtij teksti notal.

Gjatë mbrëmjes dëgjuam melodi të zgjedhura të cilat e bënë për vete dëgjuesin përmes lojës së rrjedhshme, tërheqëse e virtuoze.

Të bukura ishin të gjitha kompozimet që u interpretuan njëra pas tjetrës, por vlen të dallojmë marshin e operës “I dashuruar në tre portokaj” nga Brams-Joakim ku violinistja e shquar demonstroi aftësi të çuditshme për të qenë gjithmonë brenda kufijve të së bukurës.

Nuk duhet lënë pas dore as “Vallet hungareze” të Bramsit, të cilat përbëjnë anën më të ndritshme të miniaturave pianistike. Ato kanë karakter të gjallë dhe tepër aktiv. Pastaj, të bukura ishin edhe fragmentet nga opera “Porgy and Bess” të Gershvinit. Tingujt e këtij kompozicioni sikur na dërguan në mjediset e zhurmshme negritane ku ndjeshmëria e përveçuar “spirituale” dhe format tradicionale “blues” e “jazz” shkrihen në një tërësi të vetme. Ky interpretim e barti me besnikëri idenë e kompozitorit.

Pianistja Kastratoviq e shoqëronte Sihanën me zemërmirësi dhe bujari të pamasë. Buzëqeshjet e saj reflektonin shumë dashuri. Ndërmjet tyre mirëkuptimi qe i plotë. Ato vlerësuan ndërsjelltazi njëra tjetrën duke respektuar kërkesat dhe prirjet individuale. Mbështetur në përvojën e tyre vetjake, këto dy artiste u prezantuan si të ishin një lidhje e natyrshme.

Ishte një mbrëmje ku Sihana, përmes aftësive të saja artistike dhe skenike, u mundua që përmes tjerash të jep një mësim falas për nxënësit e pranishëm në sallë. Artistja e cila ka dhënë ndihmesën e saj në përgatitjen e artistëve të rinj, ka merita të mëdha jo vetëm në fushën pedagogjike dhe interpretuese, por edhe në zhvillimin e artit të muzikës.

Shpeshherë, gjatë shfaqjes, në fytyrën e saj vizatohej një nënqeshje që nuk mund të kuptohet në ishte ironike apo e sinqertë. Sinjalet telepatike që rrezatonte kjo artiste flasin për një zbrazëtirë, mangësi apo defekt në shoqërinë shqiptare.

Dis’harmoni në vend të harmonisë

Një anomali e pranishme në të gjitha, ama në të gjitha, shfaqjet, koncertet dhe paraqitjet e artistëve me nam, është mungesa ose mosprezenca e qenieve të gjalla që frymojnë nën kulmin e institucionit me emrin “Fakulteti i muzikës”. Jeni trajner ose dëshironi të bëheni futbollist, ndërkaq nuk keni shikuar asnjë ndeshje futbollistike! Akademia duhet të jetë për një art që e ruan përherë fisnikërinë, madhështinë, forcën dhe bukurinë. Po, si? Shumë e qartë dhe jo e lehtë! Përgjegjësi, seriozitet, fleksibilitet, kolegjialitet, profesionalizëm, konsekuencë, koherencë dhe konkurrencë.

Një organizatë joqeveritare nga ShBA, kishte ardhur në Shqipëri gjatë periudhës së tranzicionit, për t’u njohur për së afërmi me ndryshimet, rrjedhat dhe mentalitetin shqiptar. Qëndronin para Kombinatit metalurgjik të Elbasanit duke intervistuar punëtorët që po dilnin nga puna. Çka bëni në këtë fabrikë? Punëtorët, përgjigjeshin shkurt: Bëjmë kinse punojmë! Atëherë këta të Amerikës i informonin se paraprakisht kishin qenë në drejtorinë e kombinatit ku, të njëjtën pyetje ia kishin parashtruar udhëheqësisë apo trupit menaxhues: Çka bëni me këtë numër të madh të punëtorëve? Përgjigjja, thuaja e njëjtë: Bëjmë kinse i paguajmë! Pra, adresa e problemit, si duket është te pjesëza – kinse. Të njëjtin kuptim kanë edhe shprehjet – gjoja dhe sikur, që janë bërë pjesë e pandashme e fjalorit tonë të përditshëm. Këto fjalë dëgjohen kudo dhe jo rrallë. Kinse mësojmë, gjoja studiojmë, kinse ligjërojmë, kinse hulumtojmë, gjoja bashkëjetojmë, bëjmë sikur aplikojmë, kinse… Gjithçka me improvizime!…

Një dis’harmoni e paparë brenda koordinatave ballkanike! Shkon në koncert dhe vëren sallën e boshatisur; shkon në ekspozitë e takon shumë pak vizitorë; shkon në stadium, shumë pak spektatorë; shkon në xhami, shumë pak xhematë; shkon në Tetovë, shumë pak, në fakt aspak gjelbërim… Si duket u ngatërruam!… Ishim te njerëzit, apo? Po, në fund të fundit ç’të duhen edhe shumë njerëz? Kur, Hektor Berliozi përfundimisht demaskoi shijet e ulëta të auditorit që mbushte sallat e Parisit, thoshte: “Ah! Po të mund të kufizohej përbërja e publikut në pesëdhjetë njerëz të aftë për të ndjerë e për të kuptuar, çfarë lumturie do të ishte të krijoje art”.

Arti dhe imuniteti

Arti është akoma nën ndikimin e fuqishëm të “sëmundjeve infektive”!

Jetojmë në kohën kur ekzistenca njerëzore po përjeton tronditje të mëdha. Njeriu modern është në rrugën ku gjithsesi, mund të humb ndjenjën për vlera dhe kuptimin për dallimin e vlerave. Kjo situatë, në mënyrë të pandashme çon kah dëmtimi i ligjeve elementare të baraspeshës njerëzore.

Ka shumë kohë që po dëgjoj për nevojën e madhe e të rëndësishme të edukimit muzikor, arsimit muzikor të kujdesshëm, të sistematizuar, të drejtë e të plotë. Dëgjoj edhe për nevojën e hapjes së teatrove, të shtëpive operistike, dhe jo vetëm kaq. Shumë bukur, për çdo lëvdatë! Ju lumtë! Por mos harroni se teatrot operistike e humbin kuptimin kur mungon auditori!… Artistët e vërtetë kanë qenë, janë dhe do të jenë për tempuj arti, por assesi për arkitekturë të pakuptimtë apo ndërmarrje komerciale dhe “superproduksione” muzikore.

Duhet bërë përpjekje të vazhdueshme për harmonizimin e koncepteve, të nocioneve, të botëkuptimeve, të shprehjeve, të vlerave… dhe mos harroni se, harmonia është vendosja e padiskutueshme e çdo pjese në vendin e vet.

Sihana si Hëna

Sidoqoftë, në këtë tollovi të globalizimit, kaluam një mbrëmje të ngrohtë të dhjetorit të ftohtë, me yllin – Badivuku. Ishte një shfaqje e dobishme për të gjithë (pak) adhuruesit e muzikës, e shoqëruar me duartrokitje, me nderime dhe me tufa lulesh.

Sihana është muziktare me një shpirt të pastër, të ndjeshëm dhe të sinqertë, është pasqyrë e gjallë ndershmërie, vullneti dhe karakteri. Sihana është si Hëna. Derisa Hëna lëviz me përpikëri në orbitën e ndikimit, Sihana ruan me fanatizëm cilësinë e interpretimit.

P.S.

Ky artikull është shkruar në dhjetor të 2008-s, por atëherë nuk u botua për arsye thjesht teknike. Ndërkaq, sot, pas 7 vjetëve e 7 ditëve nga realizimi i shfaqjes, vendosa që ta botoj, para së gjithash, në shenjë kujdesi e respekti të vazhdueshëm për artisten e merituar, si dhe për kuptimin simbolik të numrit 7 në artin muzikor dhe në tërësinë e fenomeneve fizike e përtejfizike (7 notat muzikore, 7 ditët e javës, 7 kontinentet e planetit, 7 katet e tokës dhe 7 katet e qiejve, …).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button