Aktivistja siriane në Tiranë: Regjimi është çmendur, kërkojmë fundin e luftës

Një shtetase siriane, që jeton prej vitesh në Tiranë, përpiqet të japë ndihmën e saj për popullin e Sirisë, duke organizuar protesta të vazhdueshme për të kërkuar fundin e luftës, dhunës dhe gjakderdhjes në Atdheun e saj.

Pas protestës së zhvilluar sot përpara Ambasadës së Rusisë në kryeqytet, aktivistja Aliaa Noha dha një intervistë të shkurtër në rubrikën “Opinion” në “News24”, me gazetaren Nisida Tufa.

“Kërkojmë fundin e luftës, kërkojmë paqe, mjaft dhunës, mjaft gjakderdhjes. Ky është viti i tretë, 12 milionë fëmijë janë në kampe, 5 milionë janë larguar, treçereku i fëmijëve nuk shkojë në shkollë, jetojnë në kushte shumë të këqija. Ne jemi për protesta paqësore. Sot është dita ndërkombëtare e popullit të Sirisë, protestuam para Ambasadës Ruse. Ti themi gjithë botës hapini sytë dhe njëherë për popullin sirian.”- u shpreh Aliaa.

Aktivistja siriane tregon se ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2004, përpara se të niste lufta në Siri, ndërsa shpreh shqetësim për familjarët e saj që jetojnë në mes të luftës.

“Familja ime jeton në gjendje lufte. Kam frikë kur nuk e ngrenë telefonin. Shpesh herë nuk kemi patur kontakt sepse regjimi i pret linjat e telefonit. Nuk kanë shpresë fare se do të mbarojë kjo luftë por prap nuk duan të largohen nga Atdheu. Nuk e dimë kur do vijë fundi.”- shprehet ajo.

Duke kërkuar dënimin e regjimit të presidentit Al-Assad për masakrat në Siri, Aliaa shprehet: “Regjimi është çmendur, është gjenocid, të gjithë i kanë parë masakrat.” (BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button