Desha të pyes

Shkon një vit, afrohet viti tjetër, viti i ri.

Një mik më thotë se sahi, ama bash sahi, po u bëka universiteti i ri shqip në Shkup.

Universiteti i ri shqip? pyes me një dozë mosbesimi.

Po, po! pohon ai duke e përtypur një çamçakëz i cili nuk i shkon për shkak të thinjave.

Ecim ngadalë rrugëve të Seravës, lagjes së mjerimit, në Shkup: bien në sy disa ndërtesa të reja të cilat e i kanë zënë keqas ato pak hapësira të lira që i ka pasur lagjja.

Kah e dëgjove këtë lajm?

Në TV. Dul vet ministri i arsimit e tha.

Çka tha?

Tha se ky është një vendim historik dhe realizim i një ëndrre të kamotshme.

A tha se ëndrra e kujt ka qenë?

Jo, jo. Kjo punë nënkuptohet.

Nejse. Kush do ta ndërtojë?

Ministri tha se për realizimin e këtij plani është zgjedhur edhe vendi ku do të ndërtohet ky tempull i dijes.

E ku po u ndërtuaka?

Ministri tha se në ish kazermën Ilinden, më duket se është ajo kazermë që dikur quhej Mareshali Tito.

Aha. Po cilat fakultete do t’i ketë universiteti:

Ministri tha se do të jenë programe që dallojnë nga programet e UT-së.

Po çfarë tha tjetër?

Asgjë.

A nuk tregoi si do të quhet?

Hë, po. Universiteti i ri do të quhet “Nënë Tereza”.

Emri qenka i bukur, por kam droje që mos të bëhet institucion që do t’u ndajë diploma anëtarëve të partisë për sadaka…

Mos e tepro!

Duke biseduar dolëm në Bit Pazar. Te teatri që po renovohet. Miku im futet në Pazar të grave. Një Pazar i tipit lindor. Blen diçka duke bërë pazarllëk, më drejt duke u shtyrë për çmimet e lira. Do edhe më lirë se lirë. Pastaj kthehemi rrugës së Teatrit, që ka një emër koti. Një radio ia jep zëshëm. Flet për njëfarë gajdhuri që paska qenë mysafir në një TV shqip dhe paska kërkuar nga gazetari që mos të flitet shqip, sepse shqipja qenka gjuhë e huaj. E shpejtova hapin.

S’mund t’i duroj këto fyerje që i dëgjojmë njëqind vjet.

Fjalë gajdhuri, tha miku im.

Mirë, t’i kthehemi universitetit.

Po.

Më duket se po afrohen zgjedhjet.

Çfarë do të thuash?

Asgjë s’dua të them. Desha të pyes pse u shpall lajmi për themelimin e universitetit pikërisht tash? Desha të pyes: kur do të fillojë punën ky universitet? Desha të pyes: a do të punojë frytshëm universiteti si Instituti i trashëgimisë kulturore? Desha të pyes: a do të ketë kuadro pa përcaktim partiak të partisë në pushtet në universitet (nëse bëhet)? Desha të pyes: ku janë kuadrot? Desha të pyes shkurt: a është sahi, sahi kjo punë?…

Hej, hajt të marrim diçka në Pazar, më thotë miku. Ndoshta gjejmë pemë e perime me çmime të mira… Tash në fund të vitit… Tash para vitit të ri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button