Botërori 2014, hidhet shorti i ndeshjeve play-off

Në Zyrih të Zvicrës u hodh shorti për fazën play off të 4 skuadrave europiane që do të presin biletat e fundit drejt Brazilit ku do të zhvillohet Botërori 2014.

Edhe pse 4 skuadra ishin ndarë në dy vazo sipas renditjes së përgjithshme në klasifikimin mujor të FIFA-s, sfidat e nxehta nuk u evituan. Përballja më e fortë në letër pritet të jetë ajo mes Portugalisë së Cristiano Ronaldos dhe Suedisë së Zllatan Ibrahimovic.

Rruga është e pakthyeshme, njëri prej dy bomberave do ta shikojë nga televizori evenimentin më të madh të futbollit botëror. Por sfidat play off nuk ndalen vetëm në përballjen mes luzitanëve dhe nordikëve pasi një tjetër duel interesant është edhe ai mes Francës e Ukrainës.

Dy kombëtaret që u ndeshën edhe në Euro 2012, tashmë kanë përpara dy sfida jetike pasi për gjelat e Deschams do të ishte një katastrofë mospjesëmarrja në botëror, ndërsa ukrainasit që I kanë besuar një ekipi të ri në elementë, synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive të viteve të fundit. Ndërkohë, Islanda që rezultoi edhe surpriza e grupit tonë eliminator, do të ndeshë brirët me Kroacinë dukshëm më të avantazhuar.

Përballja e fundit e kësaj faze është e gjitha ballkanike. Greqia gjen Rumaninë në një sfidë ku vetëm një skuadër e gadishullit tonë do të bashkohet me 31 më të mirat e botës në muajin Qershor në Brazil. Ndeshjet e para do të zhvillohen në datën 15 Nëntor, ndërsa ato të kthimit vetëm 4 ditë më pas.

Lajme të ngjashme

Back to top button