Me doktoratura, magjistratura dhe fakultet, të rinjtë e Tetovës mbeten rrugës

Për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së tregut të punës, Tetova ballafaqohet me problemin e madh të papunësisë së të rinjëve, shumica prej të cilëve me shkollim sipëror, madje dhe me magjistratura e doktoratura.

Të rinjtë e papunësuar shprehen skeptikë për Portalb, lidhur me përmirësimin e kësaj gjendjeje, ndaj shpëtimin e shohin në ikjen nga vendi dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje në shtetet perëndimore.

Sipas statistikave të Agjencionit për punësim në Tetovë, numri i përgjithshëm i të papunëve në komunën e Tetovës, të cilët paraqiten në mënyrë të rregullt në Agjencionin për punësim është 13.277 persona.

“Tetova ballafaqohet me problemin e madh të papunësisë dhe ne si institucion e kemi obligim t’jua lehtësojmë kërkimin e punës të gjithë të interesuarve për të. Ka edhe një grup tjetër të papunësuarish, numri i të cilëve është 4.663, që paraqiten për punë herë pas here dhe ne ndaj tyre nuk kemi obligime” thotë për Portalb, drejtori i Agjencionit për punësim në Tetovë, Goran Jovanovski.

Po japim në vijim tabelën e kualifikimeve të tetovarëve që kërkojnë punë në Agjencionin për punësim dhe atë me përkatësinë e tyre nacionale:

Përgatitja shkollore e atyre që kërkojnë punë: Numri Përkatësia nacionale atyre që kërkojnë punë:  
Me shkollim fillorë 6.719 Shqiptarë 9.514
Me shkollë të mesme  të paplotë 1.191 Maqedonas 3.308
Me shkollë të mesme 3.735 Romë 256
Me shkollë të lartë 140 Turq 104
Me fakultet 1.420 Të tjerë 95
Me magjistraturë 69 Gjithsej: 13.277
Me doktoraturë 3  
Gjithsej: 13.277

“Problemi i papunësisë mund të analizohet në shumë segmente. Mirëpo shikuar nga këndvështrimi im, Maqedonia nuk ka kapacitet për numrin e madh të  studentëve që  ka. Këtu mendoj se qëndron problemi real sepse në  tregun e punës dalin gjenerata të tëra të diplomuarish që nuk gjejnë dot sistemimin adekuat”, thotë për Portalb, Jusuf Ajredini jurist i diplomuar.

“Problemi është  se ka shumë të diplomuar ndërsa vende pune ka shumë  pak. Edhe ato vende të  pakta të  punës për mendimin tim i zënë njerëzit jo profesional”,  tha studenti i shkencave kompjuterike Arben Haziri.

Ibrahim Ibrahimi student i shkencave politike tha: Fajin kryesor për numrin e madh të të papunëve e ka politika jo-funksionale”.

“Papunësia mbetet një plagë e përhershme, sidomos e shoqërive që kalojnë periudhë të stërzgjatur të tranzicionit, siç është rasti edhe me Maqedoninë. Ajo i adresohet mungesës së zhvillimit ekonomik dhe gjendjes së përgjithshme të mjerueshme që mbretëron në shtet në të gjitha dimensionet e saj. Maqedonia gjatë kohë po e vuan këtë tranzicion të përhershëm, por edhe politikat dështuese, që më tepër janë propaganduese se sa realisht janë në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës. Padyshim, që plaga e papunësisë mban vulën e politikave jo zhvillimorë. Sigurisht që kjo dukuri ndërlidhet edhe me një suazë më të gjerë të proceseve integruese dhe klimës së biznesit, që pamundësojnë hapjen e tregjeve, investime kapitale dhe lëvizjen e lirë të resurseve njerëzore. Gjithë këto barriera dhe kjo mbyllje krijon ambient të disfavorshëm për uljen e papunësisë” thotë për Portalb, Bardhyl Zaimi – publicist. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button