Ku mbeti Konferenca Ndërkombëtare për MO-në?

Paralajmërimi për një analizë thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit hapi debat publik në skenën politike. Jo vetëm mediat, por edhe analistët dhanë qëndrime të ndryshme mbi esencën reale të analizës. Një analizë për Marrëveshjen e Ohrit nga zëvendës kryeministri Musa Xhaferi ishte premtuar qysh para shënimit të 14 vjetorit të MO-së, raporton Portalb.

“Ka pasur takim të Sekretariatit me shumë ministri dhe institucione dhe janë dhënë kahe se çfarë duhet të punojnë. Bisedojmë që për analizën të debatohet në konferencën e 13 gushtit ku dhe do jenë të ftuar edhe diplomatë. Nuk do kisha folur për përmbajtjen e analizës. Nuk e kemi publikuar për shkak të krizës politike. Konsideroja se nuk është momenti që në jehonën e krizës politike të publikojmë analizën për opinion”, pat thënë Xhaferi për të përditshmen “Dnevnik”.

Më 29 shtator në Shkup, zv/kryeministri Xhaferi së bashku me diplomatin Piter Fejt, i cili ishte në cilësinë e përfaqësuesit nga Instituti evropian për paqe dhe ambasadoren e OSBE-së Nina Suomalajnen, duke prezantuar Analizën për MO-në me shumë optimizëm për të njëjtën paralajmëruan konferencë ndërkombëtare për muajin dhjetor.

Sot jemi 21 dhjetor, kemi hyrë në 10 ditshin e fundit të këtij muaji, Konferenca Ndërkombëtare për analizën e Marrëveshjes së Ohrit as nuk ka filluar e as nuk ka ndonjë datë konkrete për nisjen e saj.

Sipas numrit një të sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi, analiza po shqyrtohet në Qeveri.

“Është procedurë, varësisht kur organet qeveritare do ta shqyrtojnë do të ketë njoftim për opinionin”, tha për Portalb Xhaferi, duke mos precizuar datë apo muaj, sikur kishte precizuar në disa deklarata më herët.

Në fillim të këtij muaji në opinion doli edhe draft versioni për analizën e MO-së. “Dokumenti është një avancim i Kushtetutës, interpretim i avancuar i Kushtetutës dhe krijon hapësirë për të ndërtuar një kohezion për të relaksuar raportet dhe për t’u ndier të gjitha bashkësitë komod në shtëpinë e tyre, të cilën duhet ta kenë në Maqedoni”, pat deklaruar Musa Xhaferi.

Portalb njofton se janë bërë tre vite që opinioni nuk di çfarë ndodh me punësimet të cilët bëhen në kuadër të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO). Cili është numri i saktë i të punësuarve, sa janë shqiptarë, në cilët sektorë, sa prej tyre në pozitat udhëheqëse? Nuk është publikuar asnjë dokument, me të cilin para opinionit të gjërë të raportohej njëkohësisht edhe mbi arritjet në sferën e implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO).

Analiza e fundit kuantitative është e vitit 2012, ndërsa më shumë se një dekadë mungon analiza cilësore mbi implementimin e MKO./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button